Në fjalën që mbajti para Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, kryeministri Edi Rama i kërkoi Serbisë që të njohë pavarsinë e Kosovës, si një realitet i pakthyeshëm.

“Ka ardhur koha që të gjithë vendet e kësaj asambleje, sidomos së pari, miqtë tanë Serbe, të njohin pavarësinë e Kosovës, për ti dhënë hakun historisë e për të njohur realitetin. Si e vetmja bazë e fortë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët më të mirë. E dashur Serbi, Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm, kështu që mos jetoni më në mohim dhe bëni histori për veten tuaj dhe për botën duke ardhur në realitet”-tha Rama.

Kryeministri foli edhe për reformën në drejtësi dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

“Ka edhe një element tjetër që duhet përmendur, që është reforma e pashembullt në drejtësi e Shqipërisë, procesi i një pastrimi madhor duke hequr gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi si edhe procesi i ngritjes së institucioneve të reja gjyqësore të përshtatura për të lufutar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelet më të larta duke transformuar fizionominë e vendit”-vijoi Rama.

“Ndërkohë që sistemi i ri i drejtësisë formësohet ngadalë duke u bërë plotësisht funksional, ne shpresojmë që ai do të ulë në mënyrë të konsiderueshme të gjitha aktet e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin dhe do të sigurojë triumfin e drejtësisë, e shtetit të së drejtës në të gjithë vendin, një vend që e dua me shpirt dhe që e përfaqësoj me krenari këtu sot”-tha kryeministri Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA