Të paktën 11 orë ka zgjatur seanca e parë e dëshmive të 6 prej 12 personave të arrestuar në Selanik me akuzën se kishin krijuar të ashtuquajturën “fabrikë të lindjeve të paligjshme”.
Bëhet fjalë për një jurist, një mjeke gjinekologe,një mami dhe tre gra të tjera që luanin rolin e ndërmjetësve midis familjeve birësuese dhe personave që i shisnin.
Organet greke të Rendit vlerësojnë se numri i personave të implikuar në rrjetin e birësimeve të paligjshme që besohet se ishte një nga “më të mëdhenjtë dhe më të organizuarit” në Europë shkon ne mbi 66 persona.
Pas një operacioni ku morën pjesë mbi 85 agjentë policie , është zbuluar deri tani se ky grup ka kryer mbi 22 shitje foshnjash , 24 shitje vezësh dhe 10 raste pagese të të ashtuquajturave “nëna me porosi” prej vitit 2016 deri më sot.
Përfitimet financiare të tij kanë qenë mbi 550.000 euro. Rrjeti i drejtuar nga juristi dhe mjekja gjinekologe gjente gra shtatzëna të varfra në Bullgari dhe Rumani dhe u paguante deri në 5000 euro për ti shitur foshnjat e tyre tek çifte greke pa fëmijë. Gratë shtatzëna vinin në muajin e fundit në Selanik për të lindur në klinika private ndërsa shpenzimet që shkonin deri në 28000 euro paguheshin nga familja birësuese.
Gjashtë pjesëtarët e parë të rrjetit që kanë dëshmuar në Gjykatë deri në orët e vona të mbrëmjes të së premtes janë lënë përkohësisht të lirë me kusht, me garanci 30000 euro , paraqitje të detyruar në polici dhe ndalim largimi nga Greqia deri në zhvillimin e gjyqit, ndërsa në orët e ardhshme dëshmojnë në prokurori edhe 6 të tjerët. Burime pranë Gjykatës së qytetit bëjnë me dije se nga ky process nuk do të preken prindërit që kanë birësuar fëmijët nga rrjeti në fjalë.
Top Channel