Linja Ekuador-Greqi-Shqipëri/ Peshkatari që priste drogën dhe roja e sigurisë dalin para trupit gjykues (Detajet)

27/09/2019 12:13

Top Channel raportoi mëngjesin e sotëm për daljen përpara trupit gjykues të dy personave të arrestuar për aksionin antidrogë të organizuar nga autoritetet shqiptare dhe greke, në koordimin nga DEA në Athinë.

Goditja e linjës së trafikut të kokainës Ekuador-Greqi-Shqipëri u njoftua pak minuta më parë edhe nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë, burimet kanë bërë me dije për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, se të arrestuarit janë Adrian Bega, punonjës sigurie në portin e Durrësit, dhe Altin Myslihaka, peshkatar. Këta persona morën pakot që prisnin brenda kontenierëve, të cilët ishin ndaluar më parë në Greqi, në kuadër të aksionit antidrogë.

Adrian Bega ka përdorur ‘badge’-in për të hyrë dhe për të dalë nga porti, ndërkohë që lëvizjet e tij dhe të bashkëpunëtorit janë regjistruar të gjitha nga kamerat.

Dy të arrestuarit kanë dalë sot në seancë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

  Goditet linja e drogës Ekuador-Greqi-Shqipëri, sekuestrohen 137 kg kokainë

Top Channel