“Nuk jemi duke vendosur kushte, por jemi duke propozuar zgjidhje”, kështu tha në Top Talk, Ivi Kaso i PD për ngërçin e reformës zgjedhore.
“Është hera e parë që prej vitit 2000 që ky komision ka një produkt të njëanshëm të konkluduar me një draft të një anshëm të hartuar nga ekspertë të PS dhe të miratuar vetëm me votat e mazhorancës të përfaqësuesve të saj në Komision. Produkt final i cili kur i është paraqitur partnerëve është konsideruar thellësisht i pamjaftueshëm, mjafton të shihen 9 kushtet e Bundestagut.
Ky komision ka tentuar ta bëjë reformën në letër, në mënyrë të njëanshme, një reformë fiktive duke mos adresuar asnjë nga problemet kryesore dhe ka dështuar sepse Bundestagu gjerman është një nga partnerët që thotë se produkti është i pamjaftueshëm, uluni të gjitha forcat politike dhe rishiheni dhe hajdeni kur të vini të merrni provimin tjetër për negociatat.
Dështimi i një produkti final të dakordësuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore nuk është përgjegjësi e përfaqësuesve të cilët kanë qëndruar deri ditën e fundit, pra kur u konkludua një draft i njëanshëm të përfaqësuesve të opozitës së bashkuar dhe atyre të PD në përgjithësi”, tha ai.
Për mos zgjidhjen e këtij problemi Kaso akuzoi mazhorancën: “Ka qenë mungesa e vullnetit nga mazhoranca për të pasur një produkt të dakordësuar që ka bërë që ata të dlinin me një draft të tyre. Ishte kaq e pamundur që ata të adresonin problemet e vërteta të zgjedhjeve saqë problemeve të mëdha të zgjedhjeve duke iu referuar atyre të zgjedhjeve paraardhëse, atyre të 2017, në të cilin problematika e shit-blerjes së votës propozohej në mënyrë qesharake që të adresohej nëpërmjet një vetë deklarimi të kryetarëve të partive të cilët duhet të angazhoheshin që në fushatën zgjedhore të ardhshme nuk duhet të blinin vota”.
A e keni konsensusin e ndërkombëtarëve për këtë zgjidhje që ofroni?
“Zgjidhja jonë nuk është parashikuar si një zgjidhje momentale, por si një zgjidhje e cila do t’i jap fund ngërçit të reformës zgjedhore, i cili duhet të jetë gati para çeljes së negociatave.
Zgjidhjen që ne kemi propozuar e kemi bazuar dhe në reagimet paraprake të faktorit ndërkombëtar, i cili ka shprehur gadishmërinë që të asistojë.
Zgjedhja që ne kemi propozuar ka pasur sinjale hapje të cilat janë dhënë dhe publikisht nga eksponentë të faktorit ndërkombëtar.
Pse PS nuk e do këtë formulë tuajën që e refuzoi edhe Rama?
“Kam dëgjuar kryeministrin të fliste për vite me radhe për një reformë po aq të rëndësishme sa reforma zgjedhore, që ka qenë reforma në drejtësi, ku jo vetëm ka këmbëngulur për prezencën ndërkombëtare në çdo vendim marrje por shpesh herë ka trumbetuar se kjo duhet zgjidhur më ndërkombëtarët.
Kjo mazhorancë nuk është në kërkim të zgjidhjeve të vërteta për problemet e zgjedhjeve. PS do një reformë zgjedhore në letër, për tua prezantuar ndërkombëtarëve para negociatave, për tu thënë që ne e bëmë detyrën tonë të shtëpisë. Ata janë pala më pak e interesuar pasi sot mazhoranca dhe Rama janë armiku më i madh i zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend, degradimi zgjedhor vjen nga qeverisja e tij”, tha Kaso në Top Talk.
Top Channel