Gjiknuri në Top Talk: I qëndroj dorëheqjes nëse është ngërçi për reformën zgjedhore, por ky është kusht i palogjikshëm i opozitës

27/09/2019 17:32

“Për hir të klimës së mirë dhe kompromisit unë do ta rishikoja pozicionin tim siç edhe kam deklaruar”, kështu tha Damian Gjiknuri duke i qëndruar deklaratës së tij të mëhershme pas kërkesës nga PD që ai mos të jetë bashkë-kryetar i komisionit të reformës zgjedhore.

Në një linjë telefonike në emisionin Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja, socialisti sqaroi qëndrimin e tij.

“Qëndrim im ka qenë i qartë, nëse PD e ka kusht mos prezencën time në komision për të qenë pjesë e atij komisioni, gjë që nuk është normale, madje është absurde, nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë politike që të cënosh palën tjetër në një tavolinë negociatash, ku t’i nuk duhet të jesh aty, megjithatë për hir të klimës së mirë dhe kompromisit unë do ta rishikoja pozicioni tim siç edhe kam deklaruar.

Përtej bisedës për personin tim, ka shumë rëndësi që të mos themelojmë kushte dhe precedentë të tillë që do bëjnë negociatat në të ardhmen të pamundura nga forcat politike të cilat gjithmonë akuzojnë njëra tjetrën.

Mjafton të shikoni një pjesë të mirë të PD, të drejtuesve të tyre që janë të akuzuar për shumë gjëra, por askush nuk thotë që ata nuk duhen të ulen në tavolinë negociatash. Por unë i qëndroj gjithsesi asaj që kam thënë”, sqaroi Gjiknuri.

Top Channel