Deputeti Myslim Murrizi kërkon për deputetët e rinj të Kuvendit, që kanë hyrë pas djegies së mandateve nga PD dhe LSI, t’u jepet shtëpi. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, Murrizi ka kërkuar nga Gramoz Ruçi që të miratohet një fond rreth 1 miliard lekë që t’u mundësojë deputetëve të marrin kredi me interes zero.

Sipas Murrizit, deputetët e rinj duhet të kenë dinjitet dhe se nuk janë aksionerë në tendera për të blerë vetë shtëpitë.

Diskutimi i zbardhur në Konferencën e Kryetarëve

Zoti Kryetar, dua të flas jashtë rendit të ditës, nuk e di nëse është në tagrin e Konferencës së Kryetarëve, a të bëjmë ndonjë vendim, a të biem dakord të gjithë parimisht, për 15 apo 20 deputetët e rinj, të cilët kanë nevojë të mbështeten. Më duket se deri në vitin 2009 ka qenë ligji që deputetët dhe funksionarët e lartë publik përfitonin një kredi me interes të ulët. A ekziston mundësia që të bëhet një vendim Kuvendi apo qeverie, nëse keni ndrojtje nga populizmi thoni që e ka propozuar Myslim Murrizi, që këta deputetë të marrin kredi? Ata nuk janë aksionerë as në PPP-të dhe as në tendera, por e kanë të nevojshme të mbështeten me një kredi, siç kam marrë unë, por edhe ju në vitin 1997, 1992 dhe në vitet e tjera me radhë. Nuk besoj se është hipokrizi për të ndihmuar 15 apo 20 deputetë, prandaj duhet ta bëjmë një vendim. Pra, bëhet fjalë për 1 miliard lekë të vjetër, që janë më pak se 1 milion euro. T’ia heqim Unazës 100 metra dhe t’ua japim këtyre deputetëve që të kenë edhe ata një farë dinjiteti, sepse po bëhen si arixhinjtë me çadra. Unë besoj se gjithsecili deputet që është futur tani ka një farë rëndësie për mbarëvajtjen e këtij vendi, edhe për ekzistencën në këmbë të këtij parlamenti, ishalla po na hapen negociatat. Pra, nuk na kushton asgjë t’i mbështesim për të blerë një shtëpi.

Top Channel