Gëzim dhe Zenepe Pirja, ishin të ftuar pasditen e sotme në studion e “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, për të rrëfyer historinë e tyre të pazakontë, që padyshim sfidon çdo skenar filmi.
Shumë vite më parë, Gëzimi e Zenepja as që e njihnin njëri-tjetrin, madje ishin në prag të kurorëzimeve me partnerë të tjerë, por fati deshi që historia të shkruhej ndryshe.
Dy aksidente automobilistike, u bënë shkak që Zenepja dhe Gëzimi të përfundonin në karrige me rrota e me shumë vështirësi të përshtateshin me jetën e re, derisa 13 vite më parë njohën njëri-tjetrin në një qendër sociale.
Pas disa kohësh si miq, ata u dashuruan dhe nisën bashkëjetesën, me shpresën si çdo çift për të krijuar familje e për t’u bërë prindër.
Arritje e mjekësisë apo mrekulli e Zotit, bëri që rreth një vit më parë, Zenepja 50 vjeçare të ngelej shtatzënë e pas një shtatzënie jo fort të lehtë, solli në jetë vogëlushen El’Anna.
Sot prindërit më të lumtur në botë, Gëzimi dhe Zenepja treguan se ndihen më të realizuar e më plotë se kurrë më parë, duke dhënë kështu një mesazh shumë të rëndësishëm jo vetëm për personat e tjerë që janë në kushtet e tyre, por edhe për të gjithë ndjekësit e “Ftesë në 5”.
Top Channel