Një nxënës 11 vjeçar vuan sot e kësaj ditë pasojat e një aksidenti fatal që i ka ndodhur në shkollë.
Mbi trupin e tij ka rënë porta prej hekuri e shkollës, duke e zënë poshtë dhe duke i shkaktuar fraktura të shumta në këmbë e kokë. Shkolla mohon se nxënësi është i tyre duke larguar çdo përgjegjësi nga vetja , ndërkohë që 11 vjeçari sot e 9 muaj dergjet në shtrat, pasi nuk mund të ecë.
Eriselda Pelivani denoncoi rastin e djalit të saj në Fiks Fare pasi e vetmja gjë që kërkon për të është vetëm drejtësia. Si nënë e vetme e tre fëmijëve ajo në pamundësi për ta përballuar jetën ekonomikisht, ka çuar djalin e saj asokohe 10 vjeç në shkollën “Shoqata Arsimore -Kulturore Sulejmanije”.
” Si nënë e vetme që jam nuk kisha mundësi dhe në atë kohë po më nxirrnin edhe nga shtëpia dhe e dërgova djalin aty pasi ushqehej, flinte, mësonte. Pas dy muaj e gjysmë që e kam pasur djalin aty më vjen një telefonatë nga shkolla ku më thonë që djali është në spitalin e Traumës, por nuk ka gjë” tregon Eriselda.
Aty ajo ka marrë vesh se djalin e ka zënë poshtë porta prej hekuri e shkollës e cila ka dalë nga shinat.
“Mjekët më thanë që kishin bërë ndërhyrje kirurgjikale në këmbë djalit duke i vendosur protezë” thotë nëna. Ndërkohë që në këto kushte ajo ka kërkuar ndihmën e shkollës për t’i bërë ball operacionit , institucioni arsimor fillimisht i ka dhënë “OK”-in më pas janë tërhequr.
” Të gjitha shpenzimet i kam hequr e vetme dhe herën e fundit që kam shkuar në spital pasi nuk kam mundësi, djali u çua në këmbë eci pak dhe u rrëzua. Aty mjekët më thanë që më mirë do ishte që djali të rrinte në regjim shtrati të plotë se në të kundërt do t’u duhej të bënin sërish ndërhyrje kirurgjikale” shpjegon Eriselda.
Që nga 27 dhjetori i vitit të kaluar 11 vjeçari nuk ka mundur të ngrihet më në këmbë duke humbur kështu edhe vitin shkollor. Po nëna bën thirrje për ta regjistruar diku tjetër djalin, por pa marrë shpërnguljen nga shkolla “Shoqata Arsimore -Kulturore Sulejmanije” nuk mund ta regjistrojë askund. Në bazë të ligjit për arsimin bazë, prindit duhet t’i vihet në dispozicion i gjithë dokumentacioni për të bëre transferimin e fëmijës në një shkollë tjetër. Dokumentacioni përfshin; notat, mungesat dhe masat disiplinore nëse ka patur.
Drejtori i shkollës firmos dhe vulos dokumentacionin e transferimit, ia dorëzon prindit të nxënësit dhe i dërgohet shkollës pritëse. Pas kësaj drejtori i shkollës pritëse njofton shkollën shpërngulëse për regjistrimin dhe bëhet shpërngulja e nxënësit.
Por drejtuesit e “Shoqatës Arsimore- Kulturore Sulejmanije” nuk pranojnë të japin listën e notave dhe shpërnguljen me justifikimin se duan të shohin fletëpranimin e shkollës ku do të vazhdojë vitin shkollor nxënësi.
Në kamerat e fshehta drejtues dhe mësues e pranojnë që djali ka qenë nxënës i kësaj shkolle. Madje kanë dashur edhe ta ndihmojnë, por në atë kohë dhe vetë institucioni ka pasur probleme ekonomike, kështu i justifikohet drejtori nënës së 11 vjeçarit.
Edhe pse nëna këmbëngul sërish të marr dokumentacionin përkatës për transferimin e djali, has në vështirësi. Zv. dretjori i shkollës i kërkon njëherë fletëpranimin e shkollës pritëse , më pas të bëj shpërnguljen nga shkolla “Shoqata Arsimore -Kulturore Sulejmanije”, gjë kjo që bie totalisht në kundërshtim me ligjin.
Takimi me drejtorin e shkollës.
Prindi – Shokët e Jurgesit janë këtu?
Përkthyesi -Jo
Prindi- Kanë ikur në shtëpi?
-Po,po
Përkthyesi – Ka ardhur për Jurgesin.
Prindi – Unë jam pa punë dhe nuk kam ta çoj #ështjen përpara me avokatë … dmth që të gjenim një rrugë të përbashkët që mua djali të më ngrihet në këmbë. Kaq dua unë që të më ngrihet në këmbë dhe nuk më hapin telefonin.
Përkthyesi – Ndërkohë që drejtori nuk ka qenë këtu.
Prindi – Të dy jemi besimtarë e do të përgjigjemi para Allahut, ta besova fëmijën tim, amanet.Erdha bisedova me Adurrahmanin dhe i thashë të lutem më ndihmo.
Prindi – Operimi iku, deshi Zoti më nxori faqebardhë.Por unë 8 ditë të dal nga spitali dhe të 9 të iki të kërkoj punë,të lë djalin në shtëpi vetëm.Ka rënë dy herë dhe është dëmtuar prapë.
Përkthyesi – Ndërkohë që ka ndodhur kjo ngjarje thotë,unë nuk kam qenë në Shqipëri.
Prindi – Nuk ke qenë,po e drejtë.
Përkthyesi – Pasi kemi ardhur në spital jemi munduar që tju ndihmojme thotë, ushqime dhe gjëra të tilla.Ka qënë dhe një kohë e atillë,që edhe ne kemi pasur problemet tona.Kemi folur dhe me drejtorat që janë sipër nesh,dhe kemi marë vendimin që t’ju ndihmojmë ju.
Prindi – Po pse nuk ndodhi kjo,pas 3 muajve po bën 6 muaj djali tani.
Përkthyesi – Madje tha kishim vendosur të vinim edhe për vizitë në shtëpi.
Prindi – Po nuk erdhi asnjë.
Përkthyesi – Pastaj ju keni dërguar një letër.
Prindi – Po ju kam dërguar pasi më erdhi nga prokuroria. Shpjegoja më ka ardhur letër nga prokuroria dhe më thonte ke 10 ditë kohë për të bërë kërkesën.
Përkthyesi – Është njoftuar vetë profesori që ka ardhur letra,por brenda këtyre 10 ditëve nuk ka qenë në Shqipëri. Erdhëm,ka shkuar në shtëpi.
Përkthyesi – Ajo ç’ka kishim vendosur ishte edhe t’ju ndihmonim me lekë, edhe të flisnim me të njohurit tanë që t’u gjenim pune ju.Ama ndodhi që ishin gjërat shumë të shtrënguara.Tani se çfarë ju ka ndodhur ju,ne nuk e kemi hetuar thotë, ama e kuptojmë pak a shumë gjendjen…
Nëna takon zv.drejtorin e shkollës për dokumentacionin e transferimit të djalit
Abdurrahmani – Jurgesi si është?
Prindi – Në shtëpi.
Abdurrahmani – Në shtëpi.Shiko unë sa herë ju kam çu mesazh,jam mundu të kontaktoj s’ma keni hap telefonin.Kemi ardh te shpia.
Prindi – Atë ditë që erdhët unë fola me Ferhatin,e sqarova unë isha në punë.
Abdurrahmani – Jurgesi si është njëherë.
Prindi – Në shtëpi.
Abdurrahmani –A leviz?
Prindi – Jo.
Abdurrahmani – Pse?
Prindi – S’lëviz. S’e kam çu as për kontroll.Do takoj edhe mësuesen e Jurgesit meqënëse Jurgesi simestrin e parë e ka bërë.Të paktën të mos humbi të gjithë shkollën. Merr një semestër. Do marr listën e notave një, më duhet edhe më tha drejtoresha një shënim që djali ka qenë këtu. Dmth që ka ikur dhe po kthehet prapë tek shkolla e tij.Që ta fus prapë te shkolla ku ka qënë. E kam afër shtëpisë.Po gjeta ndonjë karrige ta çoj me karrige.
Abdurrahmani – Pse,nuk lëviz?
Prindi – Jo.
Abdurrahmani – Po pse?
Prindi – Kam folur me mësuesen direkt.Më ka marrë gjithmonë edhe që pyet për djalin.Herën e fundit më ka thënë që Jurgesi e humbi vitin.I thashë më vjen keq,unë nuk e ngre dot që ta bie aty.Djali është i dëmtuar i thashë nuk e ngre dot në krahë.Nuk kam mundësi që ta sjell aty. Në rregull.Tani ai simestrin e parë e ka bërë, ndërkohë do marr listën e notave normalisht dhe një shënim që ka qenë këtu.
Abdurrahmani – Po çfarë mund të bëhet me simestrin e parë? Do ta përsërisë prap vitin apo jo?
Prindi – Po tani t’i çoj njeherë këto,kshu më tha,merr listën e notave dhe një shënim që djali ka qenë në konvikt,edhe do përpiqemi djali mos ta humbi të gjithë shkollën.
Prindi – T’i them që djali ka qenë këtu.
Abdurrahmani – Unë fola me drejtoreshën.Ti para se të vish këtu,do sjellësh fletë-pranimin ku do ta pranojnë djalin në shkollë.Tani do shkojmë bashkë ta marrim ose me një nga kolegët këtu që janë në lëvizje të marrim fletë shpërnguljen.
Prindi – I thashë dua të më ngrihet djali në këmbë.E solla si pëllumb, e dua prapë si pëllumb.Nuk kam mundësi s’e përballoj dot.Fola i sqaruam gjërat.
Abdurrahmani – Mirë. Në rregull.Për shkollën kur të shkosh te shkolla,ta regjistrosh e mira është të sjellësh fletë pranimin para,na merr në telefon ose hajde direkt këtu shkojmë marrim fletë shpërnguljen te shkolla këtu, marrim dhe vërtetimin dhe këtë pjesë e mbarojmë.
Top Channel