Shërbimi i Çështjeve të Brendshme (SHÇBA) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit arrestoi 48 orët e fundit në Mallakastër dhe Kukës, 2 punonjës policie dhe 6 persona të tjerë të dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.
Drejtoria e Hetimit të SHÇBA-së, në funksion të nje procedimi penal disa mujor, hetuar me metoda proaktive, për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, organizoi dhe finalizoi operacionin “Kopshti i Skacajve”, ku u asgjësuan disa bimë narkotike, ndërsa kreu dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– Inspektor R.C. 58 vjeç, punonjës policie me detyrë ndihmës specialist i Policimit në Komunitet në Kukësit, për veprën penale të “Shpërdorim detyre”;
– H.Y., 64 vjeç, kryeplak i fshatit Piskë në Kukës, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
– B.M., 58 vjeç, banor i fshatit Piskë, Njësia Administrative Shënmri, Kukës, për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.
Nga hetimet, rezulton se punonjësi i Policisë dhe kryeplaku i fshatit Piskë, duke keqpërdorur atributet që u jep detyra, kanë lejuar dhe garantuar autorët e dyshuar të kryejnë këtë veprimtari të kundraligjshme. Edhe pse dyshohet se kishin dijeni mbi kultivimin e narkotikëve, ata nuk kishin informuar autoritetet. Hetimet vijojne në lidhje me implikime të tjera të mundshme.
Ndërkohë, dje në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Berat dhe Komisariatin e Policisë Mallakastër, si dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, në kuadër të operacionit “Gjerbës”, SHÇBA ekzekutoi vendimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për punonjësin e policisë, L. XH., 51 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Komisariatin e Policisë Mallakastër, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.
Top Channel