Të dhënat e Institutit të Statistikave flasin për një rënie të aksidenteve në muajin gusht të këtij viti, krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar. Gushti i 2019, ka regjistruar 28 aksidente më pak se gushti i 2018-ës.
Por megjithëse numri i aksidenteve ka një trend ulës edhe në tetë mujorin e këtij vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, për ekspertin e sigurisë rrugore, Fatmir Hasho, aksidentet vazhdojnë të mbeten të larta.
“Është lajm i mirë, por nuk duhet të kënaqemi me shifrat. Jemi vendin me numrin më të ulët të makinave për 100 mijë banorë, krahasuar me Europën dhe aksidentet vazhdojnë të jetë të larta”, shprehet Hasho.
Sipas ekspertit Hasho, jo të gjithë aksidentet raportohen dhe regjistrohen në statistika.
“Mendoj se mungon një shifër në të dhënat e Instat. Besoj se nuk raportohen aksidentet që janë me dëme materiale”, ka thënë Hasho.
Shkaktarët e aksidenteve vazhdojnë të mbeten disa.
“Parakalimet e gabuara janë shkaktari numër një i aksidenteve. Përdorimi i alkooli dhe i drograve. Përdorimi i celularit duhet të gjobitet me shumë seç e ka”, shton Hasho.
Eksperti i sigurisë rrugore, shpjegoi nga terreni lëvizjet e gabuara të mjeteve dhe këmbësorë që janë burim i mundshëm aksidenti.
Andi Bora
Top Channel