Nations League zgjerohet. Edicioni i parë i këtij kompeticioni që u fitua nga Portugalia, rezultoi një sukses si në audiencë ashtu edhe në të financa, teksa siguroi të ardhura prej 500 milionë Eurosh, kështu që Komiteti Ekzekutiv i UEFA vendosi që të bëjë një reformë në këtë kompeticion për edicionin 2020-2021.
Në Ligën A të Nations League, numri i skuadrave do të rritet nga 12 në 16 skuadra që do të ndahen në 4 grupe me nga 4 ekipe. Kjo do të thotë se në Ligën A do të ketë rikthime të skuadrave që në edicionin e parë ranë në Ligën B dhe bëhet fjalë për Gjermaninë, Kroacinë, Poloninë dhe Islandën. Me 16 skuadra do të jenë edhe Liga B dhe C, Kombëtarja shqiptare dhe ajo e Kosovës janë pjesë e Ligës C, ndërsa Liga D do të ketë 7 skuadra.
Shorti i edicionit të dytë të Nations League do të hidhet në 3 mars 2020 në Amsterdam, ndërsa ndeshjet do të luhen në periudhën shtator-nëntor dhe nuk do të ketë më ndeshje miqësore.
Ndërkaq UEFA përcaktoi edhe stadiumet ku do të luhen finalet e Ligës së Kampioneve në 3 sezonet e ardhshme, ajo e Europa League në 2021 dhe e Superkupës së Evropës. Kështu në vitin 2021, finalja e Ligës së Kampioneve do të luhet në Shën Pjetërburg, ajo e vitit 2022 në Allianz Arena të Mynihut, ndërsa finalja e 2023 në Wembley.
Finalja e Europa League të 2021 do të luhet në Sanchez Pizjuan të Sevillas, ndërsa Superkupa do të luhet në Belfast. Një vendim tjetër i marrë nga UEFA është edhe emri i kompeticionit të tretë evropian që do të nisë në 2021 që është Europa Conference League.
Top Channel