Supozohej të ishte një konferencë nga ku i gjithë spektri politik të sillte propozime konkrete për reformën zgjedhore, por u kthye në një sherrnajë të radhës alla shqiptarçe.

Shpresa dhe besimi i ambasadorit të OSBE, Bernd Borchardt, nga pjesëmarrja e opozitës jashtëparlamentare, u shua shpejt pasi përfaqësusi PD, Ivi Kaso, e kishte gati propozimin që asgjesonte nga ky proces opozitën e re parlamentare.

“Opozita e bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar”, tha Ivi Kaso, përfaqësues i PD.

Zoti Kaso ishte i pari që u largua nga tryeza pa dhënë shpjegime ndërsa mazhoranca përmes Damian Gjikinurit ia shtriu edhe njëherë dorën e bashkëpunimit.

Përmes Rudina Hajdarit opozita e re kërkoi reformim të thellë të sistemit por nënkryetari Kuvendit, Myslim Murrizi, udhëhoqi revoltën e opozitës së re, e cila u ndje e margjinalizuar, në tryezë dhe u largua.

Top Channel e pyeti ambasadorin e OSBE-sw, Bernd Borchardt, nëse ai ishte i zhgënjyer nga çfarë ndodhi.

“Çfarë do të thotë i zhgënjyer? Jemi në një situatë të vështirë dhe duhet të bëjmë hapa të vegjël.  Sigurisht që nuk jam i lumtur. Njerëzit po humbasin mundësitë që iu ofrohen. Donim që njerëzit të qëndronin dhe të dëgjonin ç’ishin për të thënë ata që kemi sjellë këtu”, tha ambasadori.

Ambasadori Borchardt nuk u pajtua me propozimin e PD që reformën zgjedhore ta drejtojnë ndërkombëtarët.

“Nuk e qeverisim ne këtë vend. Ne nuk jemi këtu të zgjedhur nga ju. Por, ne, sigurisht, e mbështesim vendin”, tha ai.

Dështimi kësaj tryeze tregon se sa të thella janë ndasitë politike kur vjen puna për ndryshime në kodin zgjedhor,  por belaja më e madhe tashmë për të mëdhenjtë e politikës është opozita e re, pa votat e të cilës kjo reformë do të mbetet thjesht në letër.

Muhamed Veliu

FOTO GALERI
1/3

Top Channel