Socialisti Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, nuk është shprehur kundër idesë së Partisë Demokratike për një strukture ekstraparlamentare për të realizuar reformën zgjedhore, ndonëse e konsideroi të vështirë ndërtimin e kësaj strukture.
Gjiknuri tha se Partia Socialiste kërkon të mësojë më shumë se çfarë ka parasysh PD kur flet për një strukturë të re.
“Mekanizma jashtë sistemit parlamentar është e vështirë të ketë sepse reforma do të miratohet nga Parlamenti. Nëse PD kërkon të kanalizojë propozimet e saj në këtë komision të reformës duke unifikuar qëndrimet e tyre, ka mekanizma nga më të ndryshme të dialogut që ne nuk i refuzojmë apriori, por duam të mësojmë më shumë çka kanë ata parasysh me këtë strukturë të re”, u shpreh Gjiknuri.
Sa i përket braktisjes për disa minuta nga deputetët e opozitës parlamentare të tryezës së OSBE ku po diskutohej për reformën zgjedhore, Gjiknuri tha se bëhej fjalë për një gabim emocional.
“Opozita parlamentare është aty, siç e tha zonja Hajdari, ishte një gabim emocional apo një çrregullim emocional që ata e korrigjuan. Agjenda ka qenë e dakordësuar mes bashkëkryetarëve të reformës zgjedhore dhe OSBE. Gjitçka që u zhvillua aty ishte brenda agjendës. Unë e kuptoj tensionin që ka opozita jashtëparlamentare me opozitën parlamentare, këto janë çështje përtej mundësive të mia objektive për t’i rregulluar”, tha ai.
Gjiknuri e konsideroi një sukses pjesëmarrjen e përfaqësuesit të PD-së në tryezë, pasi kjo tregon, sipas tij, interesimin e opozitës për reformën.
“Për mua tryeza është një sukses për sinjalin e parë të dialogut. Edhe pse përfaqësuesi i PD erdhi, mbajti një deklaratë politike dhe u largua, mesazhi doli i qartë që PD, të paktën në dukje, ka filluar të interesohet për procesin e reformës zgjedhore”, tha deputeti i PS.
Gjiknuri u shpreh edhe njëherë tjetër i gatshëm për të dhënë dorëheqjen nëse PD bëhet pjesë e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore ku ai është bashkëkryetar së bashku me deputeten Rudina Hajdari.
“Unë përfaqësoj interesat e PS dhe nuk kam ndonjë pushtet të veçantë. Unë kam bërë një ofertë që nëse PD bëhet pjesë, jam i gatshëm të rishikoj pozicionin tim”, tha ai.
Sa i përket kushtit të opozitës jashtëparlamentare për ndryshim të sistemit zgjedhor, Gjiknuri tha: “Jemi duke diskutuar këtë çështje dhe kemi dhënë gatishmërinë tonë për ta diskutuar edhe këtë problem.”
Top Channel