Top Story udhëtoi rreth 320 km në veriperëndim të Anglisë, në Mançester, më konkretisht në Altrincham aty ku jetonte dhe punonte Astrit Kapaj. Bëhet fjalë për një qytezë të vogël, të qetë dhe tepër të gjelbëruar me rreth 52 mijë banorë.
Pas disa kërkimesh, zbuluam vendodhjen e dyqanit që zotëronte deri pak muaj më parë i ashtuquajturi “Grabitqari i Ëimbledonit”. Pronari aktual, një shtetas britanik me origjinë indiane Sadikbhai Yakub Umarji nuk pranoi të flasë përpara kameras duke thënë se nuk e njeh mirë pronarin e mëparshëm, ndërsa e ka blerë dyqanin-restorant zyrtarisht nga bashkëshortja e Astrit Kapaj, Radija.
Por punonjësja e njeh mirë e madje ka punuar për gati 5 vjet me Astrit Kapaj dhe ishte mike e tij dhe e bashkëshortes.
“E kam njohur Astrit Kapajn për rreth 5 vite. Kam punuar me të. Që atëherë kam qenë mikeshë me familjen e tij. Jam ende shoqe me gruan e tij. Një burrë shumë familjar dhe i sjellshëm. Ai punonte gjithnjë shumë. Edhe te shtëpia ime, vinte e më ndihmonte me pronën. S’kam parë kurrë një person të jetë kaq i dashur dhe i kujdesshëm për familjen.
Një baba shumë i mirë. U habita shumë kur erdhi policia te dyqani. Sepse unë punoj edhe sot te dyqani që kishte Astriti. Tani zotërohet nga një person tjetër. Unë punoja aty. U trondita shumë. Jam ende e tronditur.Nuk më besohet edhe sot. Po, shumë familjar”, tha Lisa Erhunsee, Ish – punëtorja e Astritit.
Ajo ç’ka është interesante është fakti se në lagjen ku ai punonte, askush nuk e njeh Astrit Kapajn, të paktën jo me këtë emër. Të gjithë në këtë zonë i referohen pronarit të dikurshëm të këtij restoranti të vogël në zonën Uendover Road 89, si Patriku. Të befasuar me raportimet në media, për ta, Astrit Kapaj ishte një njeri shumë i mirë dhe madje gatuante peshk dhe patate të shkëlqyera.
Top Channel