Top Story ka udhëtuar drejt Londrës, kryeqytetin e Britanisë së Madhe, për të sjellë ekskluzivisht dhe për herë të parë me detaje e dëshmi, historinë e Astrit Kapaj… një prej hajdutëve më të jashtëzakonshëm në historinë e këtij vendi që arriti të vjedhë për 10 vite me radhë dhe i patrazuar rreth 10 milionë paund.
Viktimat nuk ishin britanikë të zakonshëm, por personazhe VIP të sportit, si tenisti Boris Becker dhe futbollisti i famshëm Nicolas Anelka.
Edhe pse ishte ekspert në përzgjedhjen e objektivave të tij, këtë hajdut shpesh e ndihmonte fakti që shumë prej pronarëve të shtëpive i linin dyert apo dritaret hapur.
Kur pamjet e tij të fiksuara nga kamerat e sigurisë të disa prej shtëpive në Uimbledon u bënë publike në 2016-ën, rreth 30 oficerë policie u vunë në ndjekje të tij.
Ky do të ishte një tjetër operacion jo i suksesshëm për të kapur hajdutin Astrit Kapajn.
“Në Britani themi që ishte një grabitës profesionist. Në kuptimin që taktikat dhe aftësitë e tij ishin shumë të mira, por s’është diçka për t’u lëvduar. Ai ishte i kujdesshëm që të mos linte gjurmë, që nga shenjat e gishtave e deri te ADN-ja. Fytyrën e kishte të maskuar. Kishte një kapuç. Ishte i zoti për të hyrë nëpër prona dhe për të dalë pa lënë prova, ose fare”, tha Stehhen Wright, gazetar i “Daily Mail”.
Top Channel