Federata Ruse e Atletikës mbetet jashtë aktiviteteve ndërkombëtare.
IAAF konfirmoi vendimin e saj për të mbajtur te pezulluar këtë federatë që prej vitesh është përfolur për një skandal dopingu ku u përfshinë edhe autoritetet shtetërore ruse. Ishte presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës Sebastian Coe që bëri të ditur këtë vendim të IAAF gjatë Kongresit të këtij organizmit të zhvilluar në prag të Botërorit të Atletikës që do të mbahet në Doha.
Vendimi për të mbajtur këtë dënim, IAAF e mori pas raportit të Agjencisë Botërore Antidoping sipas të cilit ka mospërputhje me të dhënat e dërguara nga laboratorët antidoping të Moskës në muajin janar të këtij viti. ndërkaq vetë WADA iu dha një afat 3 javor drejtuesve të laboratorëve për të shpjeguar këto mospërputhje te të dhënat, në rast të kundërt do të merren sanksione akoma më të ashpra, ku nuk përjashtohet mundësia e përjashtimit të atletikës ruse edhe nga Lojërat Olimpike të Tokios
Rusia u pezullua nga aktivitetet ndërkombëtare të atletikës në vitin 2015 për shkak të skandalit të dopingut që duket se kishte edhe mbështetjen e shtetit rus. megjithatë, IAAF gjatë kësaj kohe ka toleruar të gjithë ata sportistë rusë që kanë rezultuar të pastër duke i lejuar të marrin pjesë në evenimente me flamur neutral
Ndërkaq, këtë të premte nis edhe ngjarja më e rëndësishme e atletikës, Kampionati Botëror që do të mbahet në Doha të Katarit. tashmë ky vend është në përgatitjet e fundit në pritje të këtij evenimenti ku do të garojnë mbi 1900 atletë nga 210 vende të botës.
Top Channel