Reshjet e shiut kanë penguar vijimin e mësimit në tre shkolla në Tiranë këtë të martë, në shkollën 9 vjeçare në Yzberisht, në një shkollë në fshatin Lalm si dhe në shkollën nëntë vjeçare “Sabaudin Gabrani”, oborri i së cilës u përmbyt.

Drejtoresha e shkollës, Astasi Keri shpjegon se nuk ka pasur ujë brenda ambienteve të shkollës por vetëm në oborr.

Në orën tetë kur duhej të fillonte mësimi nuk është.

“Ne nëpërmjet grupeve që kemi krijuar me prindërit i njoftuam që në 6 të mëngjesit”, ka thënë Astasia Keri.

Ujësjellësi i Tiranës ka normalizuar situatën në këtë shkollë duke larguar ujin me pompa ndërkohë që kryetari i bashkisë siguroi se në të gjithë objektet që ka pasur probleme, të mërkurën rinis procesi mësimor.

“Doja të inspektoja vetë që çdo gjë ka filluar normalisht. Mësimi ka filluar dhe ajo që më gëzoi më shumë është se përveçse ndërmarrja jonë e shkollave, kopshteve, çerdheve, në kohë rekord, duke gdhirë natën në të 300 institucionet e Tiranës, ka mbaruar riparimet, pastrimet e fundit e çdo problematikë tjetër nga tërmeti, e jo vetëm kaq, por ka përballuar edhe sfidën e jashtëzakonshme me shirat e dendur që patëm mbrëmë. Ndoshta, një pjesë e madhe e Tiranës që ishte në gjumë nuk e kuptoi, po kemi pasur shira sa të gjithë muajt e këtij viti, në një ditë. Në Tiranë ka rënë 115 milimetra shi, më shumë se çdo qytet tjetër”, është shprehur Veliaj.

Veliaj ishte në shkollën “Alush Bardhi” në Farkë, ku përveç situatës në shkolla shpjegoi dhe situatën e krijuar në ujëmbledhësin e Bovillës, ku uji është turbulluar nga reshjet e shumta, aq sa nuk arrin të filtrohen në impiant.

Top Channel