Reshjet intensive të natës së kaluar krijuan një situatë emergjence në zonën e Fushë Krujës. Për shkak të reshjeve, lumi Zezë doli nga shtrati në disa vende, duke rrezikuar përmbytje të mëdha.

Në fshatin Larushk, situata paraqitet më problematike si pasojë e reshjeve, ku 10 banesa rrezikuan përmbytjen, ndërsa nga njëra prej tyre u evakuua e gjithë familja.  Në Fushë Krujë një pjesë e tokave dhe rrugëve janë nën pushtetin e ujit, që po largohet ngadalë pas pushimit të reshjeve.

U përmbyten dhe stacionet e pompimit në Fushë Krujë, Fushë Kuqe dhe Adriatik, duke shkaktuar probleme në furnizimin me ujë të Durrësit e Shijakut.

Në aksin Balldre- Torovicë ka patur rrëshqitje gurësh gjatë natës. Burime bëjnë me dije se dhe aksi Rrëshen- Bukmire vijon që të jetë i bllokuar nga rrëshqitja e dherave. Sipas ARRSH, në segmentet e zonës së Dajtit dhe të Ibes, nga reshjet ku ka rënie gurësh e dherash është punuar për pastrimin e tyre.

Rrugët dytësore dhe segmentet e Kamzës  kanë pasur disa vështirësi në qarkullim.

Ka pasur reshje të shumta sidomos në qarkun e Gjirokastrës. Probleme me qarkullimin ka vetëm në zonat rurale të qarkut. Në qytete situata është normale. Ka ndërprerje të energjisë elektrike për disa zona në njësinë Anyigone, Cepo, Dropull, Zagorie, Lunxhëri.

Top Channel