Fill pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëri me dijeni shtyrjen e mbledhjes së sotme për listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për kryeprokuorin, për shkak të mosardhjes së letrës zyrtare nga Komisioneri Publik lidhur me kandidatin Olsian Çela ka reaguar vetë Komisioneri Publik.
Në një njoftim për shtyp, Komisioneri Publik shprehet se nisur nga fakti që afati 15-ditor, në rastin konkret, mbaronte më datë 21.9.2019, ditë e shtunë, bazuar në nenin 148 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenit 56 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për paraqitjen e ankimit mbaron ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit, pra sot, e hënë, datë 23.9.2019.
Deklarata e plotë:
Institucioni i Komisionerëve Publikë, në vijim të informacioneve të publikuara sot në media, rreth shkaqeve të shtyrjes së Mbledhjes së radhës së KLP-së, që kishte në rend dite miratimin e listës përfundimtare të kandidatëve për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, bën më dije se vendimi nr.185, datë 23.7.2019, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Olsian Çela, bazuar në nenin 63, pika 1, të ligjit nr. 84/2016, i është njoftuar Komisionerit Publik në datë 6.9.2019, nëpërmjet shërbimit shtetëror postar.
Bazuar në nenin 63, pika 1, e ligjit nr. 84/2016, Komisionerët Publikë kanë afat 15 ditë, nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për ta ankimuar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Nisur nga fakti që afati 15-ditor, në rastin konkret, mbaronte më datë 21.9.2019, ditë e shtunë, bazuar në nenin 148 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenit 56 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për paraqitjen e ankimit mbaron ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit, pra sot, e hënë, datë 23.9.2019.
Komisionerët Publikë, duke qenë institucioni i vetëm, ndër tri institucionet e rivlerësimit, që në bazë të ligjit, kompetencën e tij kushtetuese për të ankimuar ose jo vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e ushtron brenda një afati të prerë kohor, 15 ditë, janë duke përmbushur detyrimet e tyre me kapacitet të plotë.
Ju bëjmë më dije se nga data 4.9.2019, Komisionerëve Publikë u janë njoftuar 10 vendime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të cilat njëkohësisht janë në proces shqyrtimi nga Komisionerët Publikë.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, të gjitha vendimet e marra nga Komisionerët Publikë, për të ushtruar ose jo ankim ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, publikohen menjëherë në faqen zyrtare të institucionit: ikp.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Top Channel