Mario Balotelli,, i transferuar në verë te Brescia është gati të zbresë në fushë dhe do ta bëjë këtë kundër kampionëve në fuqi të Italisë, Juventusit, mbrëmjen e të martës.
Në një intervistë për transmetuesin e Serisë A, DAZN, sulmuesi ka treguar se është gati për të zbritur në fushë dhe se ndihet në formë mjaft të mirë, ndonëse ka pranuar se nuk mund të luajë për 90 minuta.
“Jam gati për të luajtur dhe shpresoj që të kem hapësirën time. Natyrisht që nuk i kam 90 minuta në këmbë, pasi kam luajtur vetëm dy takime miqësore, por jam në dispozicion të trajnerit gjithsesi. Peshoj njësoj si në kohën kur isha 20 vjeç dhe luaja për Manchester City-n, madje mund t’u them se kaq sa jam stërvitur te Brescia, nuk e kam bërë gjithë jetën time”, deklaroi Balotelli.
Sulmuesi italian “injoroi” sfidën me Cristiano Ronaldon të martën në mbrëmje dhe theksoi se për momentin nuk mendon as për Kombëtaren Italiane, por vetëm për të bërë më të mirën me fanellën e Brescias.
“Cristiano Ronaldo është më i miri bashkë me Messin, por nuk më ekzalton fakti që do luajmë kundër tij. Për momentin nuk mendoj as për Kombëtaren, por vetëm të bëj më të mirën me fanellën e Brescias”, deklaroi sulmuesi.
Top Channel