Ish komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn reagoi shumë shpejt në Twitter pas tërmetit të fuqishëm të regjistruar në Shqipëri. Hahn u shpreh i shqetësuar per serinë e lëkundjeve të fuqishme që tronditën vendin tonë, duke shkaktuar të plagosur dhe dëme serioze për infrastrukturën.
I shpejtë qe dhe reagimi mbështetës i Prishtinës; kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, shkroi në Facebook se qeveria kosovare do ta ndihmojë Shqipërinë financiarisht për të minimizuar dëmet.
Edhe shtetet fqinjë si Italia dhe Greqia u shprehën të gatshme t`i vijnë në ndihmë Shqipërisë në këtë moment të vështirë.
Rama tha se ka marrë një telefonatë nga Kryeministri italian Giuseppe Conte “i cili ofron mbështetjen e Italisë për të përballuar pasojat e tërmetit”.
Mësohet se krerët e dy bashkive në rajonin Marche kanë kontaktuar me specialistë të emergjencave civile të Bashkisë së Tiranës, duke ofruar ndihmën e tyre për të gjithë personat që u prekën nga lëkundjet e dhunshme.
Disponueshmëri gjithashtu nga Franca, Austria dhe vendet e tjera të BE-së.
Ministria e Jashtme greke po përmes Twitterit përcolli mbështetjen dhe solidaritetin e saj me popullin shqiptar, ndërsa burime diplomatike flasin për gatishmërinë e palës greke për të ndihmuar autoritetet shqiptare në përballimin e pasojave.
Top Channel