Presidenti i SHBA Donald Trump përsëriti akuzën e tij të preferuar “lajm i rremë” për të hedhur poshtë njoftimet se ai i ka dhënë një ‘premtim’ një udhëheqësi të huaj, çka e bëri një zyrtar të inteligjencës amerikane të ngrejë ankesë pranë autoriteteve.

“Si mund të jetë dikush kaq i trashë e të besojë se unë do t’i thosha diçka të papërshtatshme një udhëheqësi gjatë një thirrjeje telefonike që dëgjohet nga aq shumë njerëz? Gjithsesi, në çdo rast unë do të bëja vetëm atë që është gjëja e drejtë dhe do t’i bëja mirë Shteteve të Bashkuara,” tha Presidenti Trump në Twitter të enjten.

Zoti Trump, i cili ka akuzuar shpesh komunitetin e inteligjencës amerikane si pjesë e një opozite ‘të shtetit brenda shtetit’, tha se është i vetëdijshëm se “praktikisht sa herë që flas në telefon me një udhëheqës të huaj, e di se mund të ketë shumë njerëz duke dëgjuar nga agjenci të ndryshme amerikane, për të mos përmendur ato të vetë vendit tjetër. Nuk ka problem!”

Komentet e tij u bënë ndërsa komisioni i inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve mbante një seancë me dyer të mbyllura me inspektorin e përgjithshëm të komunitetit të inteligjencës amerikane Michael Atkinson.

Administrata Trump refuzoi të komentojë mbi njoftimet se personi që informoi, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është një oficer i inteligjencës që punon në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe që ishte i autorizuar të dëgjonte thirrjen telefonike apo ta lexonte atë të zbardhur.

Informatorin e përfaqëson avokati Andrew Bakaj, ish oficer i CIA-s, që është “një nga ekspertët më të mirë për këto çështje” dhe një zyrtar i sigurisë kombëtare, sipas Mark Zaid që drejton një firmë ligjore në Uashington, e specializuar në çështjet e sigurisë kombëtare.

Ligjvënësit shpresojnë të mësojnë më shumë mbi ankesën e informatorit që ka hapur një betejë ligjore midis ligjvënësve dhe administratës Trump.

Zoti Atkinson u tha ligjvënësve të enjten se ai nuk ishte në gjendje të konfirmonte ose mohonte asgjë në lidhje me përmbajtjen e ankesës, apo nëse ajo përfshin presidentin, njoftoi gazeta New York Times.

Nga protokolli i Shtëpisë së Bardhë del se Presidenti Trump ka folur me të paktën pesë udhëheqës të huaj gjatë kësaj kohe.

Ata janë presidenti rus Vladimir Putin, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, Kryeministri pakistanez Imran Khan, Kryeministri i Hollandës Mark Rutte dhe Emiri i Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al-Thani.

Ankesa e informatorit ka shkaktuar një tjetër betejë juridike midis ekzekutivit dhe degëve legjislative të qeverisë amerikane.

Ligjvënësi Schiff, i cili kryeson komisionin e Zbulimit tha se zoti Atkinson ka dalë në përfundimin se ankesa e informatorit të fshehtë ishte “e besueshme dhe urgjente”, që do të thotë se sipas ligjit kjo gjë duhet t’i raportohet Kongresit.

“Komisioni i jep rëndësi të madhe mbrojtjes së informatorëve dhe ankesave që ata bëjnë në Kongres”, thuhej në një deklaratë të zotit Schiff. Drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar Maguire nuk ka pranuar deri më tani t’u japë ligjvënësve detaje rreth ankesës.

Një avokat i zyrës së zotit Maguire tha se pretendimet e bëra në ankesë nuk plotësojnë standardin e një “shqetësimi urgjent”, siç është shprehur ai. Zoti Schiff tha se zoti Maguiredo të dalë përpara komisionit për një dëshmi publike mbi këtë çështje më 26 shtator.VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA