Rusia dhe Kina përdorin veton ndaj rezolutës humanitare për Sirinë

20/09/2019 04:46

Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të mbështetur nga shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që kërkuan armëpushim në provincën veri-perëndimore Idlib të Sirisë.

Rezoluta kërkonte që aktivitetet kundër-terrorizmit të përputheshin me ligjin ndërkombëtar humanitar.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia, tha se qëllimi i rezolutës – të hartuar nga Gjermania, Belgjika dhe Kuvajti – ishte “të shpëtonte nga humbja e tyre e fundit, terroristët ndërkombëtarë që janë futur në Idlib”.

Ambasadori i Gjermanisë, Christoph Heusgen, tha se përkrahësit e rezolutës humanitare “qëndrojnë të vendosur për të luftuar terrorizmin” – por insistojnë që operacionet duhet të sigurojnë mbrojtje të civilëve, siç kërkohet nga ligji ndërkombëtar.

Më parë, një zyrtare e lartë e Kombeve të Bashkuara i tha Këshillit të Sigurimit se situata humanitare në Idlib ishte “alarmante”.

Rreth 400.000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në veriperëndim të vendit vetëm në katër muajt e fundit, dhe rreth 600.000 janë duke jetuar në tenda, kampe ose në mjedis të hapur.

Idlibi, provincë në veriperëndim të Sirisë, është zona e fundit që drejtohet nga grupet rebele, të cilat kanë tentuar të rrëzojnë nga pushteti presidentin, Bashar al-Assad, prej kur ka nisur lufta civile më 2011.

Nga ajo kohë, kjo provincë është kontrolluar nga një numër i fraksioneve rivale./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA