Nga Kuvendi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka sqaruar arsyet se pse duhen miratuar ndryshimet në Kodin Penal, një projektligj i rikthyer në Kuvend për rishqyrtim nga Presidenti Ilir Meta.

Lleshaj tha se duhet të ketë ashpërsim të masave për të gjithë ata që godasin apo kanosin punonjësit e policisë, për shkak të detyrës.

Ndërkohë që 224 policë, sipas tij, në këto katër dekada janë vrarë dhe janë plagosur, gjymtuar e kanosur me qindra të tjerë, pikërisht për shkak të këtij Kodi Penal.

“Kthimi i dekretit për ndryshime në Kodin Penal nga Presidenti duhet parë si një mundësi për t’iu rikthyer kësaj teme me rëndësi shumë të madhe. 224 punonjës të Policisë së Shtetit kanë dhënë jetën në katër dekada, qindra të tjerë janë plagosur, gjymtuar, kanosur, etj. dhe në shumë raste autorët kanë mbetur të pandëshkuar, për arsye të Kodit Penal. Ne nuk mund të lejojmë më që policët e Shqipërisë të vriten, të kanosen, të gjymtohen.

Për këtë arsye ndryshimet e reja në Kodin Penal kanë parashikuar rëndim të masës së dënimit për disa vepra që ushtrohen ndaj punonjësve të policisë, kryesisht goditja dhe kanosja për shkak të detyrës, janë ato vepra që do të ndëshkohen më rëndë”, tha Lleshaj.

Lleshaj tha se në të ardhmen, nuk ka më gjobë, por vetëm dënim me burg që fillon nga 1 deri në 5 vjet për këtë çështje.

“Për të gjithë ata që do tentojnë këto vepra në të ardhmen, nuk ka më gjobë, por vetëm dënim me burg që fillon nga 1 deri në 5 vjet, nëse bëhet fjalë për dy veprat që thashë më sipër. Me këto masa do i japim policit mbrojtje të nevojshme, që iu duhet për të kryer detyrën me përkushtim.

Parashikohet ndërhyrje dhe në nenin e armëmbajtjes pa leje. Shqipëria më ‘97 është mbushur me armë, që kanë rënë në duart e shqiptarëve dhe civilëve. Shumica e shqiptarëve nuk e dinë çfarë ndodhi në vitin 1997, që ishte një tragjedi shumë e rëndë, ku mes të tjerash ndodhi hapja e depos së ushtrisë dhe me këto armë u vranë policët, mbi 600 qytetarë, ndër armët janë trafikuar dhe në vendet e tjera, duke ndihmuar krimin e organizuar, tha Lleshaj.

Top Channel