Kompania kineze “Huawei” prezantoi telefonin e ri Mate 30 në Mynih të Gjermanisë, i pari pa aplikacionet e “Google”.
Kjo është pajisja më e re e kësaj kompanie, që kur Shtetet e Bashkuara e përfshinë në listë të zezë, në muajin maj. Uashingtoni ndaloi kompanitë amerikane të furnizojnë Huawein, duke pretenduar se firma kineze është një rrezik për sigurinë kombëtare, pasi pajisjet e saj mund të përdoren nga Pekini për të spiunuar, gjë që Huawei e ka mohuar vazhdimisht.
Prodhuesi i dytë më i madh në botë i telefonave smart përllogarit, që masa e marrë nga shba, ti kushtojë rreth 10 miliardë dollarë.
Lancimi i telefonit më të ri të Huaweit është shoqëruar me pasiguri nga ana e blerësve, për shkak të pamundësisë që ata të përdorin aplikacione të mbështetura nga kompania amerikane “Google”.
Telefonat smart nuk do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë shërbimet e Google Mobile për të përdorur Play Store, dhe për të shkarkuar aplikacione si “Gmail”, “Youtube” ose “Maps”. Në vend të kësaj, Huawei do të ofrojë ndërfaqen e vet që do t’i lejojë përdoruesit të hyjnë në disa aplikacione të Google.
Top Channel