Kujtimet e ish kryeministrit britanik, David Cameron, të mbledhura në një libër, “For the Record”, kanë dalë nëpër librari në Britaninë e Madhe, vetëm pak javë para një Brexiti të trazuar që vetë ai e provokoi duke thirrur referendumin në 2016.
Ish kryeministri pranoi këtë javë, se ashtu si edhe pjesa më e madhe e vendit që dikur ka drejtuar, është i shqetësuar nga drama në vazhdim e Brexitit.
Me vite negociata të koklavitura nuk çuan askund me Britaninë e Madhe që tani është vetëm gjashtë javë larg skadencës së radhës. E në gjithë këtë mes, Cameron ka dorën e tij. Madje ka nga ata që e kanë etiketuar si njeriu që ndau Britaninë.
“Nuk kalon asnjë ditë pa menduar për vendimet që unë kam marrë dhe pasojat që ato kanë patur” – tha Cameron në një intervistë të ditëve të fundit që koincidoi edhe me daljen nëpër librari të kujtimeve të tij.
Në librin e tij, ai sjell copëza kujtimesh nga familja, fëmijëria dhe flet edhe për ndikimin e të atit tek ai. Por kapitujt më pikantë, janë padyshim, ata që flasin për atë çka nuk është parë gjatë qëndrimit të tij më “downing street”, vendimet, debatet, prapaskenat etj.
Siç raportohet, David Cameron, u mbyll në një shtëpizë të qetë, larg nga zhurma dhe qyteti për të shkruar kujtimet e tij. Ai ecën kështu në gjurmët e paraardhësve të tij, duke filluar nga Margaret Thecer, me “The Downing Street Years” e deri tek Toni Blair me “The Journey”.
Top Channel