Nisin hetimet për vdekjen e turistit italian në kroçerë. Do të hetohet dhe protokolli mjekësor i ndjekur nga mjekët që e ndoqën në Durrës e Tiranë.

Prokuroria e Padovas ka nisur hetimet mbi vdekjen e 33-vjeçarit italian që pësoi frakturë në kokë pas rrëshqitjes në bordin e kroçierës që po lundronte pranë brigjeve shqiptare me destinacion Kroacinë.

Mediat italiane kanë raportuar se ka qenë familja e Matteo Sartorit që ka denoncuar duke kërkuar vënien para drejtësisë së përgjegjësve për vdekjen e tij. Aktualisht nuk ka një të dyshuar për ngjarjen.

Pritet që organi i akuzës të zbardhë procedurën e ndjekur për ofrimin në kohë të ndihmës mjekësore, veçanërisht nëse kanë vepruar në mënyrë korrekte mjekët në Durrës që kanë qenë të parët në dhënien e ndihmës për të riun që po udhëtonte bashkë me të fejuarën në kroçierë.

Njëkohësisht do të hetohet edhe respektimi i normave të sigurisë brenda anijes turistike. Sipas dëshmive, Sartori u dëmtua rëndë në ambjentet e brendshme të kroçierës. Ai rrëshqiti nga shkallët e brendshme të saj, duke përplasur keq kokën.

Para incidentit ai kishte prerë dorën teksa po përpiqej të konsumonte një gaforre për darkë. Ka nxituar të shkojë në dhomë për ta mjekuar dorën, po nuk ka mundur. E fejuara e ka gjetur përtokë dhe pas ndihmës së parë në anije është kërkuar ndihma e autoriteteve shqiptare që e kanë marrë me një mjet lundrues dhe transportuar në spitalin e Durrësit e më pas në Tiranë nga ku është transferuar në Itali me avion.

Me gjithë ndihmën e marrë nuk ka mundur të mbijetojë. Më 11 shtator, Sartori u nda nga jeta, ndërsa familjarët kërkojnë të dinë dhe të dënohen përgjegjësit për tragjedinë që i goditi papritur.

‘Në Shqipëri ndihma nuk erdhi kurrë’- kjo është akuza që Sonia Mercato bëri në mediat italiane pasi i dashuri i saj vdiq nga një aksident që pësoi në Shqipëri.

33 vjeçarit nuk iu dha ndihma shpejtë. “Ndihma mbërriti vonë”- deklaroi Sonia Mercato.

Top Channel