Autoriteti Kombëtar i Shoqërisë së Informacionit u ka bërë thirrje kompanive IT që janë të interesuara për të prodhuar programin e ri kompjuterik të tatimeve të aplikojnë për certifikatën elektronike test.

Kjo certifikatë do të jetë e detyrueshme për të gjitha kompanitë IT që duan të prodhojnë softet e reja të biznesit.

“Certifikata elektronike test shërben për të autentifikuar dhe enkriptuar të dhënat që do të dërgohen në serverin e fiskalizimit”, u shpreh Romina Kostani, drejtoreshë e inovacionit, AKSHI.

Nga data 1 janar e vitit të ardhshëm të gjitha bizneset do të blejnë me detyrim programet e reja kompjuterike, të cilat regjistrojnë dhe përcjellin cdo transaksion në kohë reale tek serveri i tatimeve. Ky program mund të prodhohet nga cdo kompani IT-je, që është e interesuar, mjafton të respektojë parametrat e kërkuara. Dhe AKSHI thotë se interesi ka qenë i madh, ku deri tani kanë aplikuar 35 kompani.

Pasi kompanitë e IT të kenë prodhuar modelet e tyre të programeve kompjuterike, ato mund të shiten në treg të lirë. Por vetëm pasi të kenë marrë certifikimin nga shteti.

Do të jenë autoritetet shtetërore kompetente ato të cilat do të certifikojnë nëse një program i përmbush parametrat apo jo.

Fiskalizimi është cilësuar nga qeveria si një nga reformat më të rëndësishme, që synon të ulë informalitetin në ekonomi dhe të vendosë konkurrencën e barabartë në treg.

Klodian Tomorri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA