Karboni i zi i thithur nga gratë shtatzëna, mund të shkojë drejt e tek fetusi. Grimca të ndotjes së ajrit janë zbuluar në pjesën fetale të placentës, gjë që tregon qartë, sipas shkencëtarëve, se foshnjet në barkun e nënës janë të ekspozuara direkt ndaj karbonit të zi të prodhuar nga makinat në trafik e karburanti që digjet.
Ky përbën të parin studim që tregon sesi barriera e placentës mund të depërtohet nga grimca të thithura prej nënës.
Lidhja mes ajrit të ndotjes dhe numrit të shtuar të aborteve spontane, lindjeve të parakohshme e peshës së vogël të fëmijëve në lindje është përcaktuar tashmë. Kërkimi i fundit tregon se grimcat mund të jenë një shkak i drejtpërdrejtë e jo thjesht përgjigja inflamatore e nënës ndaj ndotjes. Dëmtimi i fetusit, sipas drejtuesit të studimit, profesorit Tim Nawrot nga Universiteti Hasselt në Belgjikë, mund të ketë pasoja për të gjithë jetën.
“Kjo është periudhë më e ndjeshme e jetës”, argumenton ai, “është koha kur krijohen të gjithë organet, ndaj për mbrojtjen e gjeneratave të ardhshme, duhet të reduktojmë ekspozimin”. Sipas tij, qeveritë kanë përgjegjësinë të ulin ndotjen e ajrit, ndërsa njerëzit këshillohen t`i shmangin sa më shumë të mundin rrugët me trafik të rënduar.
Top Channel