Kryeministrja serbe Ana Brnabiç do të takohet sot në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel. Edhe pse zyrtarisht qëllimi i vizitës besohet të jetë forcimi i marrëdhënieve Serbi-Gjermani, mediat serbe kanë konfirmuar se çështja e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës besohet të jetë ndër temat kryesore në takim.
Sipas Drejtorit të Qendrës për Politikë të Jashtme Dragan Gjukanoviç, fokusi gjatë këtij takimi do të jetë çështja e Kosovës dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy Serbisë dhe Gjermanisë.
“Gjermania është akoma mjaft këmbëngulëse në pozicionin e saj që nuk lejon ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor”, thotë Gjukanoviç për “Telegraf.rs”.
Kryeministrja serbe Brnabiç, para takimit është e vetëdijshme që vendi i saj dhe Gjermania nuk pajtohen kur është fjala për çështjen e Kosovës, porse sipas saj, është e rëndësishme që të bisedohet në nivele të larta për këto çështje.
“Unë nuk ik nga realiteti që Gjermania dhe Serbia nuk pajtohen për disa çështje, por është shumë e rëndësishme që ne të zhvillojmë diskutime të nivelit të lartë rregullisht. Me rëndësi të veçantë është përkushtimi i vazhdueshëm i Kancelares Merkel në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e të gjithë rajonit tonë në Bashkimin Evropian”, tha kryeministrja serbe.
Nga ana e tij, Drejtori i Qendrës për Politikë të Jashtme Dragan Gjukanoviç, shpreh bindjen që Beogradi të vazhdojë të tregojë një lloj qëndrimi politik proaktiv, kur bëhet fjalë për dialogun Beograd-Prishtinë dhe të tregojë një gatishmëri për të vazhduar dialogun mes dy vendeve.
Top Channel