Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Sekretarin Parlamentar të Shtetit për Drejtësinë të Gjermanisë, z. Christian Lange, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit Ruçi e përditësoi Sekretarin Lange mbi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të Këshillit Europian në pesë prioritetet kyçe si edhe mbi bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, duke u fokusuar kryesisht në arritjet e reformës në drejtësi.

“Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme në zbatimin e reformave transformuese dhe pesë prioriteteve kyçe, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e papengueshme. Ne falenderojmë Gjermaninë si një mbështetëse e fortë e integrimit europian të Shqipërisë. Deklarata e Kancelares Merkel se “Një Evropë me të vërtetë e bashkuar përfshin Ballkanin Perëndimor”, është një inkurajim i madh për vlerësimin e përpjekjeve që po bëjmë për të merituar çeljen e negociatave në tetorin që vjen.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Sekretari i Shtetit, z. Christian Lange, i cili është hera e tretë që viziton Shqipërinë, shprehu vlerësimin e Gjermanisë për arritjet e Shqipërisë në fushën e reformave dhe zbatimit të rekomandimeve të Këshillit Europian. “Shqipëria dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në fokusin e veçantë të Gjermanisë. Ecuria e reformave në Shqipëri është e sukseshme dhe kjo u konfirmua nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Jam i impresionuar në mënyrë të veçantë nga suksesi i reformës në drejtësi. Me po këto ritme duhet të ecë edhe reforma zgjedhore. Qeveria gjermane po lobon fort në Bundestag që në mbledhjen e tetorit të shkojmë me një PO për Shqipërinë.”, konfirmoi Sekretari Parlamentar i Shtetit për Drejtësinë, z. Christian Lange.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Sekretari Parlamentar për Drejtësinë i Gjermanisë, z. Christian Lange, biseduan edhe mbi disa aspekte të situatës politike në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA