Ka kaluar më shumë se një vit nga shpallja e emergjencës mjedisore në bashkinë e Durrësit, por në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Porto Romano gjendja nuk ka ndryshuar.

Mbetjet vijojnë të depozitohen të patrajtuara në këtë zonë, në një sipërfaqe prej afro 200 mijë metra katror; pa barriera apo shtresa mbrojtëse për të shmangur ndotjen e zonës së banuar përreth dhe ujërave nëntokësorë që përfundojnë në det.

Përmes TCH, kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako jep lajmin se më në fund janë alokuar fondet për projektin e rehabilitimit, po ende nuk ka një datë për fillimin e tij.

“Sot jemi në kushtet që, përveç tenderimit të projektit për rehabilitimin e zonës që do të kthehet në një pikë atraktive, mund të deklarojmë se janë alokuar fondet për të vënë në zbatim këtë projekt. Duhet vetëm të gjejmë vendin për grumbullimin e ri të mbetjeve dhe për të llogaritur kostot për t’í përpunuar këtu apo për t’i dërguar në vendgrumbullimet më të afërta me Durrësin.”, thotë Sako.

Gjetja e një vendgrumbullimi të ri për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane të Durrësit duket se po mban peng nisjen e zbatimit të projektit. Kjo dhe për shkak të sipërfaqes së vogël dhe dendësisë së madhe të popullsisë në territorin e Bashkisë Durrës.

Vali Qyrfyci

Top Channel