Një ekspozitë që përfshin një sixhade e cila ilustron momente nga seriali televiziv hit i HBO-së, “Game of Thrones” u çel në Bayeux, të Normandisë, vetëm pak më larg muzeut që strehon tapetin e famshëm të shekullit të 11-të, nga ku sixhadja e merr frymëzimin.
Ajo u krijua në Irlandën e Veriut, në njërin prej sheshxhirimeve të serialit që “çmendi” botën. Rreth 30 endës punuan për gati 1.500 orë për thurjen e saj. në sixhade rrëfehet përmes figurave të qëndisura historia e filmit, duke nisur me Mbretin Robert Baratheon teksa viziton Starks-ët në Winterfell.
Historia e treguar në tapetin 66 metra të gjatë mbyllet në frymën e serialit, me zjarr dhe gjak, ashtu si edhe skenat kontroverse që shënjuan sezonin e tetë dhe final të tij.
Sixhadja e famshme origjinale e Bayeux, një vepër e shekullit të 11-të, rrëfen pushtimin norman të Anglisë. Në të rrëfehet historia e pushtimit nga ai që do të ishte mbreti i ardhshëm William I, duke kulmuar në Betejën e Hastings dhe humbjen e Haroldit në vitin 1066.
Irida Vasia
Top Channel