Dokumentet e reja të PD, Mark Babani: Kallëzim penal për Bardhin; Rama nuk ka dijeni për të kaluarën

16/09/2019 16:45

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani ka reaguar pas dokumenteve të reja të publikuara nga Partia Demokratike, ku pretendohet se socialisti është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”.

  PD publikon dokumentin: Kreu i Vaut të Dejës, Mark Babani arrestuar në Itali për vjedhje makinash

Babani hodhi poshtë akuzat dhe mohoi se është ai personi në dokumentet e publikuara nga PD. Aty pretendohet se kryebashkiaku është arrestuar në Itali me emrin Marq Babaj.

“E gjjithë kjo histori është e sajuar, nuk ka lidhje me mua. Deklarimet i kam bërë të qarta. Nëse ata kanë ndonjë provë, le t’i çojnë në Prokurori. Absolutisht nuk ka lidhje me gjurmët e gishtërinjve të mi. Mua nuk më ka thirrur Prokuroria, po pres ftesën dhe të shkoj të jap deklarimet e mia. Nëse e kanë bërë padinë, pse dalin dhe flasin në Tv? Në 4 prill të 1994 kam qenë në punë në hotel. Kurrë në jetën nuk kam qenë as i arrestuar dhe as i ndaluar”, tha Babani.

Mark Babani paralajmëroi se do të bëjë denoncim penal për Gazment Bardhin, Sekretar i Përgjithshëm i PD, duke e akuzuar për shpifje ndaj figurës së tij.

I pyetur nëse kryeministri Edi Rama apo Partia Socialiste i kanë kërkuar informacion pas akuzave të PD-së, Babani theksoi se diçka e tillë nuk ka ndodhur.

“Ky është një vetëdeklarim i imi. As zoti Rama dhe as PS nuk e dinë se çfarë kam bërë unë gjithë jetën time”, tha ai.

Babani hodhi dyshime se një nga arsyet e kësaj zhurme mund të jetë edhe përpjekja e demokratëve për të fshehur gjurmët e keqqeverisjes 25 vjeçare të bashkisë së Vaut të Dejës.

Top Channel