Një virus informatik që prek kartën sim përmes një sms-je: ky është zbulimi i bërë nga një kompani irlandeze që merret me sigurinë kibernetike.
Virusi, i quajtur Simjacker, është në gjendje të shndërrojë një telefon celular në një mikropërgjues, duke transmetuar të dhëna delikate drejtpërdrejt tek hakerat. Sipas kompanisë irlandeze, rrezikohen të paktën 1 miliardë aparate celulare, në 30 shtete të botës. E kjo, është hera e parë që zbulohet një sulm kibernetik përmes sms-ve.
Sic shpjegon kompania, Simjacker, shfrytëzon një sms që përmban instruksione direkte për kartën sim. Prek një funksion të caktuar dhe pas kësaj mbledh të dhëna si pozicioni apo numri serial i aparatit, për t’ia dërguar më pas hakerit përgjegjës për sulmin.
Gjithçka ndodh pa dijeninë e pronarit, sepse në faqen e mesazheve, nuk mbetet asnjë gjurmë e komunikimeve të dërguara apo të marra. Ekspertët thonë edhe se marrja e masave për të evituar një sulm që godet direkt kartën sim, është e vështirë.
Top Channel