Nga Ruben Avxhiu
Vetëm pak vite më parë do të ishte e paimagjinueshme mirëpo zhvillimet politike në SHBA mund të sjellin pikëpamje socialiste në Shtepinë e Bardhë, jo më larg se viti që vjen 2020.
Sigurisht që të ndodhë kjo duhet që një socialist të fitojë garën e ndërlikuar brenda Partisë Demokrate dhe pastaj të mposhtë Presidentin Donald Trump në nëntorin tjetër.
Po çfarë do të thotë një socialist amerikan? Në mendjen e shumicës së republikanëve çdo demokrat është njëfarë socialisti. Po të besosh analizat e tyre të propagandës elektorale në vite: Bill Clinton ishte socialist, Barack Obama ishte socialist ej. Në fakt, “socialistët” e Amerikës kanë ngjarë gjithnjë si centristë për të mos thënë djathtistë të butë në krahasim me kolegët e tyre të të majtës europiane.
Bill Clinton, një prej figurave të “rrugës së tretë” pajtoi Partinë Demokrate me korporatat amerikane. Barack Obama që “tmerroi” konservatorët me reformën e tij “socialiste” në fushën e sigurisë shëndetësore nuk guxoi as të krijonte një variant publik për ata që preferonin me vullnetin e lirë, e jo më të shtetëzonte sigurimet private si do të kishte bërë çdo socialist e madje edhe çdo qendrist në mbarë Europën Prendimore.
Këto janë vetëm një ilustrim sipërfaqësor, po sa për të dhënë një ide që alarmi konservator për Amerikën e rrezikuar nga socializmi ka qenë gjithmonë qesharak dhe thjesht taktikë fushate.
Pse ka qenë kaq e vështirë që të ketë një president socialist në SHBA kur qeveri socialiste ka pasur gati në çdo shtet kapitalist e demokratik të Perëndimit e mbarë botës?
Për këtë ka shumë debate, studime e libra. Në kuadrin e ngushtë të një shkrimi, po përmend vetëm disa. Mundësia e rrallë e rrethanave amerikane që punëtori të bëhej pronar, në sajë të zgjerimit të vazhdueshëm të hapësirës amerikane deri sa mbërriti në bregun perëndimor. Më tej, mundësia për të investuar jashtë vendit, hapja e tregjeve të jashtme krijoi një formulë ekonomike që u dha mundësi të mëdha amerikanëve me shpirt sipërmarrës e aftësi krijuese. Një tjetër faktor është emigracioni i përhershëm në shekuj, që rregullisht ka zvogëluar mundësitë e lëvizjeve punëtore. Çdo punëtor që rebelohej ka qenë lehtësisht i zëvendësueshëm nga emigrant i radhës. Një tjetër faktor ka qenë lëvizjet e sektet e mëdha fetare që kanë ngritur lart virtytet e individualitetit, përgjegjësinë individuale etj. Së fundi, globalizmi dhe revolucioni i teknologjisë elektronike ka sjellë përsëri përjashtimin e punëtorit kryengritës dhe zëvendësimin e tij lehtësisht jo më me emigrantin po me krahun e punës në botën e tretë ose me automatin.
Përballja për jetë a vdekje me Bashkimin Sovietik bërthamor e bëri akoma edhe më të papranueshme socializmin si koncept në SHBA.
Po pse po ndryshon tani klima politike aq sa një socialist mund të pretendojë të zgjidhet President?
E vërteta është se politika në SHBA po ndryshon me shpejtësi të madhe. Asaj po I humbet moderimi dhe gjakftohtësia që e ka karakterizuar edhe në vitet kur Europa eksperimentonte me fashizëm e komunizëm. Njëfarësoj amerikanët kanë humbur besimin te Ylli i tyre Polar, një lloj ndjesie e optimizmi se ishin në këtë botë për një mision. Për herë të parë, që prej kohës së Depresionit të Madh, dhjetëra miliona njerëz kanë humbur përgjithmonë vendet tradicionale të punës. Shumica e tyre janë zëvendësuar me vende pune në sektorin e shërbimit shpesh me rroga që mezi mjaftojnë për të mbijetuar. Klasa e mesme po zhduket e ndërsa diçka më shumë se 1% e vendit është pasuruar në mënyrë përrallore nga tregjet e hapura globale, pjesa më e madhe e amerikanëve janë varfëruar jashtëzakonisht ose kanë stanjuar. Ëndrra amerikane, pasurimi i të varfërve është tani më shumë një shaka, sesa një dukuri e kudogjendur.
Në këto rrethana, ndërsa elitat në fuqi nuk gjejnë dot përgjigje për problemet që grumbullohen, demagogë e predikus të rrymave dikur të përçmuara si të skajshme, të dehura, të papërgjegjshme, mashtruese apo joamerikane kanë marrë zemër dhe vëmendje.
Zhvillimi teknologjik ka shembur infrastrukturën e medias, duke demokratizuar përhapjen e informacionit po edhe keqinformimit, duke u krijuar treg të madh e të lirë ideve ekstremiste e paranojave publike.
Në këtë klimë, konservatorët e libertarianët në krahun e djathtë po munden nga nacionalistët, e izolacionistët, nga ksenofobët dhe real-politika. Në krahun e majtë, populizmi është shfaqur në formën e socialistëve radikalë po me elemente nacionaliste dhe izolacioniste nga njëra anë dhe nga identitarët në anën tjetër. Kjo e djathtë e re nxori fitues Presidentin Donald Trump në 2016. E majta joliberale mund të prodhojë një figurë të saj si fituese në 2020.
Kush mund të jetë presidenti socialist në Amerikën e vitit 2020?
I vetmi nga kandidatët që deklarohet hapur si socialist është Bernie Sanders. Një tjetër demokrate që ka pikëpamje shumë të ngjashme, madje edhe me elemente te nacionalizmit ekonomik, nga ato që përshpëriste edhe Steve Bannon i Presidentit Trump është Senatorja e Amerikës Elizabeth Warren.
Po kushdo që të fitojë nga Demokratët, fitorja e tyre nuk mund të ndodhë pa një pajtim dhe kompromis masiv me krahun më të majtë ideologjik të partisë. Masivisht në kolegjet amerikane, rinia ka rifituar besimin te idetë socialiste e socializmi nuk është më një fjalë e ndyrë.
Sanders që në 2016, u mund me vështirësi nga Hillary Clinton, nuk beson se po ofron ndonjë gjë shumë radikale në krahasim me botën. Ai do që mirëqënia amerikane të ndahet më ndershmërisht dhe më bujarisht mes amerikanëve. Ai beson se është e padrejtë që disa janë miliardierë e multimilionerë, ndërsa shumica e vendit mezi paguan qiranë dhe mezi ushqen fëmijët.
Ka shumë shqiptarë në SHBA që janë ashpërsisht kundër një kandidati socialist. Në fund të fundit, shqiptarët kanë sjellë me vete një përvojë të tmerrshme të një diktature të majtë, gati gjysëmshekullore. Po “socialistët” amerikanë po ofrojnë mekanizma të mirëqënies dhe mbrojtjes sociale që Europa Perëndimore i ka pasur në fuqi gati gjatë gjithë Luftës së Ftohtë. Madje mund të argumentohet se përparimin e komunizmit e ndali fuqia ushtarake e NATO-s në bashkëpunim me ngritjen e shteteve sociale në Europë që gëzonin të mira që premtonte komunizmi, pa systemin e diktaturës. Për kritikët amerikanë, problemi nuk është te disa elemente socialë sesa te hapja e derës ndaj praktikave që në fund vetëm do të thellohen duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe mbytur lirinë e individit.
Një pjesë e madhe e strategjistëve demokratë kanë frikë se një kandidat shumë i majtë, qoftë edhe në kontekstin e kufizuar amerikan, mund të trembë votuesit e pavarur. Për këtë arsye, shumica e tyre shohin te ish-zv-Presidenti Joe Biden si shpresën më të madhe të një fitoreje të sigurt kundër
Presidenti Trump në 2020. Ata druhen se edhe nëse janë dashamirëse dhe të realizueshme planet e Senatorëve Sanders e Warren, ata do të mundeshin në 2020 nga Trump. Mirëpo, Biden është rënduar shumë nga mosha dhe e ka humbur gjallërinë e dikurshme. Ai po kërkon të zgjidhet nga një parti një pjesë e madhe e të cilës është zhvendosur shumë më majtas ideologjikisht ose është përkushtuar në mënyrë të skajshme që të vendosë drejtësi sociale historike duke preferuar të mos lejojë më mbizotërimin e burrave të vjetër e të bardhë në postet më të larta amerikane.
Sipas anketimeve të deritanishme, Biden kryeson me mbi 20%, por Sanders e Warren kanë 17% dhe 16% përkatësisht. Nëse do të bashkonin forcat mund të detyronin pjesën tjetër të partisë që të provonte për herë të parë kostumin e socializmit në Amerikë. Po megjithë një lloj paqeje të mirëkuptuar mes të dyve as Elizabeth Warren e as Bernie Sanders nuk kanë ndërmend t’ia lënë vendin njëri-tjetrit.
Misteri për mundësinë e një qeverisjeje të afërt socialiste në SHBA do të fillojë të zgjidhet vetëm nga fillimi i vitit që vjen kur të fillojnë votimet e para të Demokratëve për kandidatët e tyre. Po nga debatet e deritanishme, bluja amerikane nuk është dukur kurrë kaq e kuqe.
Top Channel