Histori, muzikë, argëtim dhe aktivitete sportive, Peza N’fest mbledh qindra qytetarë

15/09/2019 15:50

E kthyer prej disa vitesh në një traditë, Festa e Pezës ka mbledhur sot qindra qytarë të Tiranës, që në vigjilje të 77-vjetorit të Konferencës së Pezës, jo vetëm kujtuan një nga ngjarjet më të mëdha e më të rëndësishme të popullit shqiptar, gjatë Luftës së Dytë Botërore, për bashkimin kundër pushtuesve, por edhe u argëtuan në aktivitetet e shumta festive të organizuara nga Bashkia e Tiranës. Festimeve iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se Konferenca e Pezës është shembull shumë i mirë për shqiptarët për të punuar së bashku për progresin.

Ai nënvizoi se këto festime e gjejnë Tiranën dhe Pezën shumë herë më të pastër dhe më të mirë se më parë, falë angazhimit të Bashkisë së Tiranës për t’u kujdesur çdo ditë, por edhe kontributit të të gjithë qytetarëve që iu përgjigjën dje thirrjes për pastrimin e kryeqytetit.

“Jam shumë i lumtur që organizimet e përvitshme të “Festës së Pezës” na gjejnë në një Tiranë shumë më të pastër nga aksioni i djeshëm. I gjithë territori, duke filluar nga Kombinati e deri në Pezë, është bërë xixë! Siç e shihni, kemi disa elementë shtesë në këtë festë të Pezës për këtë vit, kemi gara me motorra, kemi teatrin e kukullave, kemi lojëra për fëmijë, Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve; kemi shumë subjekte kulinare që me produktet e zonës, i japin Pezës reputacionin që ka, si një nga vendet më bujare dhe më mikpritëse”, u shpreh Veliaj.

Në pritje të ceremonisë zyrtare të përkujtimit të kësaj ngjarje historike ditën e nesërme, Veliaj ftoi qytetarët që t’i bashkohen edhe më të shumtë në numër festimeve që do të vijojnë sot gjatë gjithë pasdites dhe deri në orët e vona të mbrëmjes.

“Është një ditë historike, nesër kemi ceremonitë protokollare për të përkujtuar Konferencën e Pezës, por kemi vendosur që si e diela e fundit e verës dhe si e diela e fundit përpara fillimit të vitit të shkollor, të gjithë fëmijët të kenë një ditë fantastike me aktivitete. Të rinjtë, me Eugent Bushpepajn, do të kenë një koncert energjik në darkë dhe nesër, me energji të reja, të fillojnë vitin e ri shkollor, edhe ta çojmë emrin e Tiranës akoma më lart. Por, sot është ditë feste, një ditë argëtimi për të gjithë familjen, kështu që i presim të gjithë në Pezë, deri vonë në mesnatë, dhe nesër fillojmë me vrull vitin e ri shkollor”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Aktivitetet festive nisën që në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa shumë qytetarë morën pjesë në panairin e produkteve artizanale, prodhimeve dhe kulinarisë karakteristike të zonës. Ndërkaq, për më të vegjlit u organizuan një sërë aktivitetesh, si shfaqje të Teatrit të Kukullave, shfaqje të cirkut, kënde lojërash, etj. Po kaq argëtuese janë edhe aktivitetet e parashikuara për “Nata e gjelbër Peza n’fest”, ku prej orës 19:00 dhe deri në orët e vona të natës, të pranishmit do të kenë mundësi të ndjekin një performancë të Bandës së Qytetit, si dhe koncertin e kantautorit, Eugent Bushpepaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA