Pa u mbushur 1 muaj nga vrasja e bujshme e Santiago Malkos në kryeqytet, policia dhe prokuroria kanë arrestuar një 39 vjeçar.
Burime te Top Channel tregojnë se nga hetimet e deritanishme, sektori kundër vrasjeve në Drejtorinë e Tiranës ka ndaluar shtetasin, të cilit i mësohen vetëm inicialet, B.T.
Burimet thonë se 39 vjeçari është nga Tirana dhe ka kryer veprime për të penguar zbardhjen e së vërtetës si edhe nuk ka kallëzuar krimin. Grupi hetimor beson se dëshmia e tij është kyçe për të treguar autoret ose porositësit e ekzekutimit. Ish efektivi i policisë Santiago Malko u vra me një breshëri plumbash në fund të gushtit në një atentat të mirëorganizuar.
Dyshimet janë se 26 vjeçari u ekzekutua për hakmarrje, pasi mendohet se ishte përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit, një ngjarje që është zbatuar me të njëjtin mekanizëm siç edhe u vra Malko.
Santjago Malko dha dorëheqjen nga policia më shumë se tre vjet më parë, pak muaj pasi ishte diplomuar në shkollën bazë të policisë. Emri i tij u lakua së pari në 2016 nga vetë zyrat e shtypit të policisë pas një konflikti fizik për shkak të borxheve nga lojrat e fatit.
Më pas ai u shfaq me kapele në kokë në kamerat e sigurisë në ambjentin e brendshëm të një lokali në bllok, gjatë shkëmbimit me armë zjarri ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën.
Por siç rezultoi nga hetimet e mëpasshme Malko nuk kishte kryer asnjë veprim të dyshimtë ndaj drejtësia nuk i hapi probleme.
Anila hoxha
Top Channel