Fluks pacientësh për shkak të infeksioneve bakteriale si në urgjencën e shërbimit infektiv ku paraqiten pacientë mbi 16 vjeç por edhe në urgjencën e pediatrisë. Deri në orën dhjetë të paradites të së shtunës kishte mbi 100 pacientë

Burime të Top Channel thonë se nga analizat e pacientëve ka rezultuar salmonelë e cila mendohet të ketë shkaktuar këtë epidemi për shkak të kontaminimit të ujit të autoboteve. Dhe në fakt prindër të fëmijëve thonë se konsumojnë ujë të autoboteve.

Ndonëse në numër më të pakët por edhe në shërbimin infektiv ka ende pacientë që paraqiten me të vjella dhe diare.

Edhe pse po bëhet më shumë se një javë kjo situatë epidemie askush nuk merr masa për të ndaluar autobotet që u tregtojnë ujë banorëve. Në një komunikatë për mediat Ministria e Shëndetësisë thotë se numri i pacientëve ka rënë krahasuar me pak ditë më parë ndonëse asnjëherë nuk e deklaroi situatën e pazakontë në infektiv ku vetëm në një ditë paraqiteshin 280 vetë.

Uji që tregtojnë autobotet ndaj konsumatorëve nga autobotet nuk kontrollohet nga autoritet shëndetësore edhe pse është një rrezik serioz për shëndetin e tyre. Ky ujë blihet pranë ujësjellësit me qëllim për vaditje pasi është ujë i patrajtuar.

Në mënyrë abuzive u tregtohet konsumatorëve me një çmim më të lirë se sa uji i amabalazhuar cilësia e të cilit serish ngre pikëpyetje të tjera. Autoritet shëndetësore dhe jo vetëm duhet në mënyrë urgjente të ndalojnë tregtimin e ujit të autoboteve që nuk mund të pihet.

Alma Demiraj

Top Channel