Dhjetëra gazetarë të Radios Kombëtare Bullgare (BNR) që drejtohet nga shteti, organizuan një protestë të premten në mbështetje të lirisë së medias pasi një kolege e tyre, e cila njihet për mbulimin që i ka bërë korrupsionit në sistemit gjyqësor, u pezullua nga detyra për një kohë të shkurtër.
Çështja shkaktoi kritika nga grupet që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe dega bullgare e Shoqatës së Gazetarëve Evropianë, e cila foli për një “grusht shteti kundër profesionalizmit në gazetari” në një vend me renditjen më të ulët në Evropë për sa i takon lirisë së shtypit.
Drejtori i ri i informacionit të BNR-së Nikolay Krastev, pezulloi të enjten Silvia Velikova-n, spikere dhe gazetare e njohur e radios, duke thënë se ajo kishte shkelur kontratën duke nxitur dëgjuesit gjatë transmetimit të drejpërdrejtë për t’iu bashkuar një protestë që lidhej me emërimin e kryeprokurorit të ardhshëm të Bullgarisë.
Shumë gazetarë e panë masën si të motivuar politikisht. Përballë një reagimi të fortë zoti Krastev dha dorëheqjen ndërsa gazetarja Velikova u rikthye në detyrë.
Kjo çështje e ka bërë edhe më të qartë zhgënjimin e shumë bullgarëve me atë që ata e shohin si një elitë politike të korruptuar dhe një gjyqësor joefektiv, të kritikuar shpesh nga Komisioni Evropian.
Këtë vit Bullgaria u renditet në vendin e 111-të nga 180 vende në Indeksin për Lirinë Botërore të organizatës Reporterë pa Kufij, më poshtë se edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të BE-së.
Në tetor 2017-s qindra gazetarë protestuan në Sofje ndaj kërcënimeve që zëvendës kryeministri Valeri Simeonov u bënte disa prej transmetuesve më të mëdhenj mediak në vend. Ai i akuzonte ata se po zhvillonin një “fushatë masive për njollosjen e tij”./VOA
Top Channel