Në autobusin ku udhëtonin i dyshuari Gazmir Karemani dhe tre bashkëpunëtorët e tij, ka hipur efektivi i komisariatit Tepelenë, Kastriot Çiçi , i cili u ul në vendin e parë për të shoqëruar automjetin me qëllim shmangien e ndonjë sulmi nga banditët që grabisnin autobusët që vinin nga Greqia.
Kështu e përshkruan Gjykata e Lartë vendimin e dënimit të përjetshëm ndaj Gazmir Karemanit dhe tre të tjerëve që në total u dënuan me dy dënime të përjetshme dhe 50 vjet heqje lirie.
Ata e kishin bërë planin e grabitjes teksa po punonin në Athinë dhe në afërsi të Tepelenës, në datën 5 dhjetor, 1998, kanë nxjerrë armët dhe janë maskuar. pasi qëlluan me breshëri, goditën për vdekje policin. Tashmë kjo histori gjendet sërish në duart e gjyqtarëve.
Drejtësia shqiptare ka vendosur të rigjykojë një tjetër të dënuar të përjetshëm, i shpallur fajtor për vrasjen e një efektivi të Policisë së Shtetit, për një ngjarje të 21 viteve më parë gjatë një grabitjeje të armatosur të një autobusi me pasagjerë që bënte linjën Tiranë Athinë.
Menjëherë sapo ka marrë verdiktin e rishikimit, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të thërrasë familjarët e viktimës, i cili vite më parë u shpall dëshmor i atdheut.
Seancat ndaj ish të dënuarit të përjetshëm, Gazmir Karemani po dështojnë njëra pas tjetrës pasi deri më tani drejtësia nuk ja ka dalë mbanë të njoftojë familjen e policit të vrarë Kastriot Cici.
Më herët Gazmit Karemani i shpëtoi edhe dënimit me pushkatim , pasi ky dënim ju anulua, duke ju kthyer në burgim të përjetshëm, por edhe ky tashmë është në pikëpyetje pasi siç konsideron Gjykata e Strasburgut, ai nuk ka patur asnjë dijeni për procesin që zhvillohej në mungesë të tij.
Karemani ju dorëzua Shqipërisë përmes ekstradimit disa vite më parë dhe nuk është paraqitur në asnjë seancë.
Anila Hoxha
Top Channel