Policia ruse filloi një valë bastisjesh në dhjetëra qytete në orët e para të së enjtes ndaj mbështetësve të udhëheqësit opozitar Alexey Navalny.
Megjithëse policia bëri formalisht një lidhje me një hetim për pastrim parash ndaj Fondacionit Antikorrupsion të zotit Navalny (FBK), mbështetësit thonë se goditja synonte paralizimin e infrastrukturës rajonale të kësaj organizate.
Edhe momenti i zgjedhur për bastisjet mbart konotacion të lartë politik, duke u zhvilluar pas strategjisë së “votimit inteligjent” të mbështetur nga zoti Navalny. Kjo taktikë bashkërendoi zemërimin e votuesve në mbështetje të kandidatëve që kishin arritur të kalonin pengesat e regjistrimit.
Kësaj strategjie iu atribuan humbjet domethënëse të kandidatëve pro-Kremlinit në zgjedhjet e fundit lokale për këshillin bashkiak të Moskës.
Navalny e shpjegoi vetë domethënien e kësaj strategjie nëpërmjet një blogu të titulluar “Putini është i zemëruar dhe po përplas këmbët e tij të vogla. Ja përse”.
Leonid Volkov, strategu kryesor i zotit Navalny, këmbëngul se autoritetet thjesht kuptuan që përpjekjet për “votimin inteligjent” të degëve rajonale do të siguronin humbjen e kandidatëve të Kremlinit në zgjedhjet vitit 2020 dhe atyre të vitit 2021.
“Aktet e sotshme të represionit masiv politik janë një përpjekje për të ndërhyrë në një skenar të pashmangshëm”, shkruajti në një postim në Facebook, zoti Volkov.
“Kjo është një përpjekje dëshpëruese dhe e pashpresë”. Zoti Navalny identifikoi mbi 200 vendndodhje në 41 qytete të prekura nga bastisjet – që nga Kaliningradi në perëndim dhe deri në Vladivostok në Lindjen e largët ruse – duke dëshmuar kështu për një përpjekje të mirëkoordinuar dhe masive të autoriteteve.
Edhe anëtarët e organizatës për monitorimin e procesit të votimit, “Golos”, u bënë gjithashtu objektiv i këtyre bastisjeve.
Pati njoftime të shumta në mediat sociale ku përshkruhet se si policia thyen dyert e aktivistëve dhe të të afërmve të tyre në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
“Policia ndodhet tashmë tek shtëpia e nënës time, kështu që pres të vijnë tek unë së shpejti”, i shkruajti Zërit të Amerikës në një mesazh Dmitry Silivonchik, drejtues i operacioneve të FBK-së në Nizhny Novgorod, në Rusinë perëndimore.
Ndërsa bastiseshin degët e FBK-së, u njoftua se policia priste paraprakisht rrymën elektrike, për të shmanguar regjistrimin e pamjeve të operacionit të tyre.
Akuza për pastrim parash
Hetuesit rusë filluan një hetim ndaj organizatës FBK në muajin gusht, duke këmbëngulur se punonjësit e saj “morën një shumë të madhe fondesh nga palë të treta, për të cilat kishin dijeni se ishin siguruar në mënyrë të paligjshme”.
Komisioni i Hetimit i Rusisë më vonë tha se shuma ishte 15.3 milionë dollarë. Sidoqoftë, momenti i zgjedhur për këtë hetim sugjeron se pati ndërhyrje politike.
Në javët pararendëse, Komisioni Zgjedhor i Rusisë përjashtoi kandidatët me orientim opozitar, shumë prej tyre nga radhët e organizatës FBK, duke përmendur arsyen se nuk kishin verifikuar firmat e duhura për të marrë pjesë në zgjedhje.
Si rezultat u zhvilluan një seri protestash gjatë fundjavave në Moskë dhe Shën Pjetërburg, gjatë të cilave u arrestuan mbi 2500 vetë, shumë prej tyre nga policë të njësive agresive OMON.
Me kandidatët opozitarë të përjashtuar në masë, zoti Navalny dhe organizata FBK nxitën në vazhdim strategjinë e tyre të “votimit inteligjent”, duke shkaktuar humbjen e mbi një të tretën e vendeve të mbështetura nga Kremlini në garën për Moskën./VOA
Top Channel