Pas lajmit se Izraeli ka vendosur një pajisje përgjimi pranë Shtëpisë së Bardhë, ka reaguar kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu duke mohuar kategorikisht akuzën në fjalë.
Sipas tij e gjitha kjo s’është gjë tjetër veçse një mashtrim.
Zëdhënësi i ambasadës izraelite në Uashington Elad Strohmayer, mohoi gjithashtu njoftimin e kompanisë mediatike me qendër në Uashington “Politico”, dhe tha për “Zërin e Amerikës se “Izraeli nuk kryen operacione spiunazhi në Shtetet e Bashkuara”.
“Politico” njoftoi të enjten se qeveria amerikane beson se Izraeli, një aleat i ngushtë i vendit, ishte ndoshta përgjegjës për vendosjen e pajisjeve të përgjimit të gjetura pranë Shtëpisë së Bardhë dhe në disa vende të tjera të rëndësishme në Uashington DC.
“Pajisjet e vogla të përgjimit, të njohura si StingRays me gjasë kishin për qëllim të spiunonin Presidentin Donald Trump”, shkroi “Politico”. Por në shkrim thuhej gjithashtu se “nuk është e qartë nëse përpjekjet izraelite kishin qenë të suksesshme”.
Po kështu, disa ish-zyrtarë të lartë amerikanë të Sigurisë Kombëtare i thanë “Politico-s” se nga analiza që u është bërë pajisjeve nga Byroja Federale e Hetimit dhe agjencitë e tjera amerikane, ka rezultuar që ato të jenë të vendosur nga agjentë izraelitë.
Megjithatë SHBA-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kundër Izraelit lidhur me dyshimet për vendosjen e pajisjeve përgjuese. Sipas shkrimit të “Politico-s” Uashingtoni nuk u ka vënë rëndësi veprimet e pretenduara të Izraelit, për shkak të marrëdhënies shumë të ngushtë të zotit Trump me zotin Netanyahu.
Top Channel