Sebastian Fetel (Vettel) ishte projektuar si një pilot i parë te Ferrari dhe te aftësitë e gjermanit ishin përqëndruar synimet e skuadrës italiane për t’u rikthyer te titulli kampion në Formula 1.
Por këtë sezon thuajse të gjithë në kampin e Kokëkuqes, po dashurohen pas paraqitjeve të Sharl Lëklerk, piloti që triumfoi në Monza aty ku ferrari nuk vendoste diktatin e saj prej 9 vjetësh, por mbi të gjitha po spikat me ambicien e tij.
Sebastian aktualisht ka prekur pikën më të ulët që kur drejton njëvendëshen e Maranelos, një periudhë e vështirë për një emër që ka fituar 4 herë titullin kampion. Shumëkush po e cilëson këtë, shfronësimin më të papritur dhe të shpejtë te Ferrari.
Në Spa-Francorchamps, gjermani u përdor indirekt për të frenuar Hemilton në mënyrë që Sharl Lëklerk të fitonte garën ndërsa në Monza shkoi edhe më keq për Fetel. Gabimet radhazi në pistë, dublimet nga shoku i ekipit dhe çdo gjë tjetër që po shkon keq, po i imponon gjermanit një reagim të shpejtë që nga gara e ardhshme.
Ndërkohë Lëklerk në Monza hyri gjithmonë e më tepër në zemrat e tifozëve të Ferrarit, dhe skuadra italiane po mendon gjithmonë e më shumë për ta larguar në muajin Dhjetor. Mungojnë ende 7 gara nga fundi i kampionatit të Formula 1, ndërsa kontrata parashikon edhe nëj vit së bashku mes italianëve dhe Fetel. Por piloti nga Hepenhajm është dorëzuar ndaj atij të principatës dhe krenaria duket se nuk po rezulton mjaftueshëm që ta mbajë në pistë. Gara e radhës në Singapor, do të zbulojë edhe më shumë mbi të ardhmen.
Top Channel