Duke përmbysur një politikë disa vjeçare, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara miratoi planet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump për të kufizuar numrin e emigrantëve që kanë të drejtë të kërkojnë azil.
Sipas këtij rregulli, personat që mbërrijnë përmes një shteti të tretë duhet të kërkojnë fillimisht mbrojtje atje, përpara se të kalojnë kufirin e SHBA-së.
Sfidat ligjore kundër kësaj mase vazhdojnë, por për momentin ajo mund të aplikohet. Plani prek me dhjetëra mijëra emigrantë nga Amerika Qendrore, të cilët udhëtojnë në këmbë përmes Meksikës. Politikën e saj të re Administrata e Trumpit e paraqiti në muajin korrik, por u bllokua thuajse menjëherë nga një vendim i gjykatës në San Francisko.
Ulja e shkallës së emigracionit ka qenë një prej qëllimeve kryesore të presidencës së Trumpit dhe një nga zotimet kryesore për rizgjedhje më 2020. Rreth 811,016 persona janë ndaluar në kufirin jugperëndimor të Shteteve të Bashkuara deri në fund të gushtit të këtij viti dhe gati 590,000 prej tyre ishin nga Guatemala, El Salvadori dhe Hondurasi.
Megjithatë, në këtë kufi mbërrijnë rregullisht edhe emigrantë nga Afrika e Azia. Unioni Amerikan për Liritë Civile, i cili e ka sfiduar këtë plan, ka thënë se ai shkel aktin amerikan për refugjatët dhe konventën e OKB-së e cila I garanton të drejtën e azilit personave që I largohen persekutimit.
Top Channel