Michael Kors nuk ka qenë kurrë pessimist, të paktën në krijimet e tij, nuk e ka treguar asnjëherë një gjë të tillë dhe sfilata e vet e fundit, ishte një shpërthim pozitiviteti.
Stilisti i famshëm elektrizoi me koleksionin e fundit, pranverë 2020 në javën New Yorkeze të modës. “Ndërsa bota përkeqësohet, të qëndrojmë sa më pozitiv, është municioni i vetëm që kemi,” u shpreh ai.
Kors e vendosi show-n në një magazinë të madhe në Brooklyn, një godinë nga koha e Luftës së dytë botërore, por sigurisht e restauruar.
Romani i kohëve të fundit i Jennifer Egan, i titulluar “Manhattan Beach” , përvijonte një pamje të gjallë të Nju Jorkut në ato vite, kur gratë nxituan të punonin për të dhënë ndihmesën e tyre në ato kohë të trazuara, dhe shumica e bënin këtë për herë të parë.
Kors e riimagjinoi atë periudhë në mënyrën e tij karakteristike: optimizëm dhe ngjyra. Paleta ishte e kuqe, e bardhë, dhe blu, me elemente të ndritshëm ndërsa veshjet spërkateshin me printe limoni dhe qershi. Forca përcillej përmes pantallonave të gjera me prerje klasike e detaje ushtarake.
Dukej si një kthim në të shkuarën, vetëm se me silueta të përshtatura për kohën sot, e që nga të ftuarit, u prit me duartrokitje.
Top Channel