Prej 5 muajsh, rreth 30 punëtorë nën varësinë e bashkisë së Shkodrës, që mirëmbajnë stadiumin “Loro Borici” dhe fushën sportive “Reshit Rusi” dhe 15 trajnerë të akademisë Vllaznia kanë pa marrë rrogat. Sipas tyre, ngërçi qëndron tek marrëdheniet mes bashkise së Shkodrës dhe institucionit të prefektit. Në mbeshtetje të tyre doli edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura në Shkodër.
Për këtë çështje reagoi edhe kryebashkiakja Voltana Ademi ku sipas saj, bllokimi është bërë nga institucioni i prefektit.
I kontaktuar nga Top Channel, prefekti Çesk Millja sqaroi se këshilli bashkiak i kaluar, ka marrë vendimin për kalimin e buxhetit gjatë muajve të fushatës elektorale dhe për rrjedhojë është i paligjshëm. Në mbledhjen e parë të këshillit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit, ai premtoi rikthimin e pagave për të gjithë punonjësit.
Klodian Zhivani
Top Channel