Ministria e Infrastrukturës ka anuluar tenderin 23 milionë euro për lotin e 7 të rrugës Kardhiq-Delvin, duke udhëzuar autoritetin rrugor ti transferojë paratë në projekte të tjera me ecuri më të mirë realizimi.

Përmes një shkrese të datës 3 shtator ministria urdhëron ARRSH-në të anulojë tenderin duke e shtyrë ndërtimin e këtij projekti strategjik për vitet e ardhshme.

Tenderi për lotin e 7 të rrugës Kardhiq Delvin u zhvillua në datën 17 qershor, çka përbën dhe fillimin e një procesi me përplasje të forta ligjore, por edhe pikëpyetje të mëdha. Në tender morën pjesë 6 kompani, me oferta të cilat varionin nga 15 deri në 19 milionë euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Por Autoriteti rrugor Shqiptar skualifikoi 5 ofertat më të ulëta, me pretendimin se nuk përmbushnin kriteret teknike duke shpallur fituese në tender ofertën me çmimin më të lartë, përkatësisht atë të kompanisë italiane IRCOP në konsorcium me tre kompani të tjera shqiptare. Ky konsorcium kishte ofruar ta ndërtonte tunelin e Kardhiqit për një çmim prej 19 milionë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar ose 4 milionë euro më shumë se sa oferta më e ulët.

Por vendimi u ankimua menjëherë në Komisionin e Prokurimit publik nga një bashkim prej katër shoqërish të kryesuara nga shqiptarja ‘Kobial’. Ky bashkim, i cili kishte ofruar çmimin më të ulët për ndërtimin e tunelit me rreth 15 milionë euro e ankimoi vendimin e Arrsh-së si të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.

Ankesa u gjet e drejtë nga Komisioni i prokurimeve i cili rrëzoi si të paligjshëm vendimin e ARRSH për të shpallur fituese ofertën me çmimin më të lartë. Komisioni ndryshoi fituesin duke ja dhënë tenderin bashkimit të shoqërive shqiptare me ofertë 4 milionë euro më pak se sa fituesi I shpallur nga ARRSH. Por pas ndryshimit të fituesit nga komisioni i prokurimeve, ministria e infrastrukturës ka vendosur ta anulojë fare tenderin me argumentin se qeveria nuk ka para dhe fondet duhen çuar tek projektet me ecuri të lartë realizimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA