Siç edhe ndodhi gjatë garës për në Gjykatën Kushtetuese, edhe në konkurrimin për në Gjykatën e Lartë , është rrudhur ndjeshëm lista e pretendentëve që synojnë tre vende vakante në gjykatën supreme.
Nga 22 pretendentë, kanë mbetur në garë tetë juristë të spikatur , të cilët do t’i nënshtrohen tashmë vettingut që do të kryhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
14 të tjerë u skualifikuan ose u dorëhoqën nga synimi i tyre për shkak të mangësirave që kishin në kurrikulum, veçanërisht për shkak të mosplotësimit të njërit prej kushteve sikurse është doktoratura. Juristët që janë kualifikuar, por që më tej do t’u verifikohen kriteret e pasurisë, figurës dhe aftësive janë emra të spikatur, sikurse ai i ish-ministrit të Drejtësisë, Ilir Panda, i drejtuesit të shkollës së magjistraturës, Sokol Sadushaj, ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku apo edhe personalitete që vijnë nga jeta akademike, sikurse profesori Ervin Pupe apo Kestrin Katro. Me siguri gara do të jetë e fortë mes këtyre emrave, ndërsa në listë gjenden edhe juriste të tjera të njohura si Jetmira Rragami, Ardita Alsula dhe Rezarta Melo. Por askush nuk është në gjendje të thotë se sa kohë do t’u duhet shërbimit informativ, ILDKPI-së dhe gjithë institucioneve të tjera për të kthyer përgjigjet e tyre. KLGJ që është në pritje siguron se përpjekjet për të mbushur gjykatën janë në vazhdimësi, siç është edhe hapja e garës për vendin që la bosh Xhezair Zaganjori.
Njëjtë si Gjykata Kushtetuese, edhe Gjykata e Lartë po kalon krizën më të madhe të saj përsa i takon mungesës së anëtarëve, të cilët u shkarkuan nga vettingu .Gjykata e Lartë gjatë këtij procesi humbi shtatë anëtarë. Ndërkohë, Këshilli i Lartë gjyqësor nuk ka hapur garën për pretendentët kryesorë gjyqtarë, të cilët duhet të mbushin gjykatën. Nuk dihet ende se kur do të hapet kjo garë, megjithëse aktualisht po shqyrtohen kandidatët jo gjyqtarë, që sidoqoftë është një numër mjaft i vogël gjyqtarësh, të cilët do të ulen në karriget e Gjykatës së Lartë dhe që natyrisht nuk do ta zgjidhin krizën që ka lidhje me fluksin e konsiderueshëm të dosjeve që vazhdojnë të arkivohen ditë për ditë.
Vazhdojnë garën
Anila Hoxha
Top Channel