Problemet nuk kanë të përfunduar për Arda Turan që duket se pas kthimit në Turqi e ka humbur krejtësisht toruan.
Ish mesfushori i Atletiko Madrid dhe Barcelonës dhe që aktualisht është pjesë e skuadrës së Basaksehir është dënuar me 2 vjet, 8 muaj dhe 15 ditë burg me akuzën e armëmbajtjes pa leje me të cilën edhe qëlloi me synimin për të frikësuar e ngjallë panik, ndërkohë që është rrëzuar akuza për ngacmime seksuale.Në muajin tetor të vitit të kaluar, Arda Turan u përfshi në një zënkë në një klub nate me këngëtarin Berkay Sahin pasi kishte flirtuar me bashkëshorten e këtij të fundit.
Artisti u dërgua në spital me thyerje të hundës, ndërkohë që Turan e ndoqi deri atje ku qëlloi me armë, por sipas avokatit të tij kjo ndodhi aksidentalisht.
Megjithatë kjo ngjarje i kushtoi shtrenjtë futbollistit që u dënua me 2 vjet, 8 muaj e 15 ditë burg, dënim që për momentin është lënë pezull. Por Arda Turan nuk është protagonist vetëm i këtij episodi negativ. ish kapiteni i përfaqësueses turke vitet e fundit u akuzua edhe për agresion verbal e kërcënime ndaj një gazetari ndërkohë që është ndëshkuar në kampionatin turk me 16 ndeshje pezullim për agresion ndaj arbitrave.
Top Channel